Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas pajtueshmërisë së Kosovës dhe Serbisë në orët e vona të së shtunës mbi aneksin e zbatimit të planit evropian.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Abdixhiku është shprehur se kreu i qeverisë Albin Kurti i ka sjellë mbrëmë Kosovës një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me Asociacion.
“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë. Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, shkruan Abdixhiku.
Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sakaq, Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, mirëpo Serbia sërish nuk e ka nënshkruar. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.
Top Channel