BE-ja e Shtetet e Bashkuara po përpiqen me çdo kusht që takimi i Ohrit të japë rezultatet e shpresuara, duke e theksuar në më shumë se një rast se ky mund të jetë treni i fundit për të dyja palët dhe se një propozim më të mirë se plan franko-gjerman nuk do të ketë.

Të pranishëm në përballjen e Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç janë edhe ndërmjetësuesi i takimit, shefi politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e në cilësinë e vëzhguesit merr pjesë dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në tryezën e diskutimeve gjendet udhërrëfyesi i zbatimit të propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, I cili në parim është pranuar nga palët gjatë takimit të Brukselit. Borell sqaroi se janë marrë parasysh komentet e Kosovës dhe të Serbisë në lidhje me këtë aneks, dhe në bazë të tyre do të krijohet “një variant më i konsoliduar ” i dokumentit.

“Shpresoj që në këtë pikë, Prishtina dhe Beogradi do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar  bisedimeve”, u shpreh ai. Bashkimi Europian e publikoi në 27 shkurt tekstin e plotë të propozimit, i cili përmban 11 pika.

Propozimi i BE-së nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. Po ashtu, kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Top Channel