Ambasadori italian në Prishtinë, Antonello de Riu, thotë për KosovaPress se plani i Bashkimit Evropian për dialogun është një hap i rëndësishëm drejt njohjes de-jure të Kosovës nga Serbia.

Ai kërkon nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, që në takimin e sotëm në Ohër të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe të arrijnë një marrëveshjen bashkë me aneksin për zbatimin e tij. Sipas tij përfitimet nga kjo marrëveshje janë të mëdha, veçmas në aspektin ekonomik.

Ky është një momentum që duhet shfrytëzuar nga të dy liderët, sepse mendoj se asnjëherë si tani, ka një interes kaq të madh për zonën e Ballkanit dhe veçanërisht për çështjen e Kosovës dhe Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare. Keni parë edhe një interesimin të madh edhe nga administrata amerikane, kështu që i gjithë komuniteti ndërkombëtar që është mik i Kosovës, sepse po flasim për shtetet mike të Kosovës, janë në radhë duke u përpjekur të mbështesin dhe të shtyjnë përpara të dy palët, në rastin e Kosovës natyrisht me kryeministrin Kurti… Shpresojmë që kjo atmosferë pozitive të përkthehet në një marrëveshje efektive, që nga deklaratat politike të datës 27 shkurt, le të themi, nga marrëveshja e takimit, të bëjmë një hap të ri në këtë rrugë integrimi evropian të Kosovës dhe Serbisë”, thotë ambasadori De Riu.

Ai thotë për KosovaPress se plani i BE-së për dialogun është marrëveshja më e mirë që mund të kishte në këtë fazë mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes saj, sipas tij, ndodh edhe njohja de-facto e Kosovës, mirëpo thotë se Kosova sapo të mund të aplikojë për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, sovraniteti i vendit do të njihet globalisht dhe njohja de-jure do të mbet vetëm hap formal.

Kjo është marrëveshja më e mirë që mund të kishim në këtë fazë. Megjithatë tashmë është një njohje de-facto e sovranitetit ndërkombëtar të këtij vendi tashmë globalisht, e jo vetëm nga miqtë… Është vetëm një hap i parë shumë i rëndësishëm drejt njohjes de-jure, që do të ndodhë në një moment të ardhshëm. Por është evidente se sapo Kosova do të mund të aplikojë në organizata të ndryshme ndërkombëtare për 5 vjet, 7 vjet, 10 vjet, nuk e di se kur, por tashmë do të jetë sovraniteti i këtij vendi dhe statusi i këtij vendi që do të njihet globalisht, kështu që do të jetë vetëm një hap formal”, thotë ai.

Megjithatë, ai thekson se institucionet në Kosovë duhet të kenë angazhim politik për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Po, kjo është sepse dy palët arritën një marrëveshje për kushtet e përgjithshme. Por tani është thelbësorja dhe ne e dimë shumë mirë, se cilat janë (kushtet); për Serbinë është njohja de-facto e Kosovës, hyrja në organizatat ndërkombëtare e kështu me radhë. Për Kosovën është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por dua të theksoj përsëri, nuk dua të jem, le të themi i bezdisshëm, por është diçka që tashmë është rënë dakord, dhe tani ajo që ne po kërkojmë është vetëm për të thënë, në rregull. Atëherë do të ketë kohë për të përcaktuar saktësisht se cilat do të jenë modalitetet, statusi i këtij Asociacioni. Por tani na duhet një angazhim i qartë politik për krijimin e këtij Asociacioni”, thotë ambasadori De Riu.

Ai rendit edhe përfitimet që palët do t’i kenë nga marrëveshja e mundshme nëse nënshkruhet sot në Ohër.

Për Kosovën, tashmë e kemi theksuar disa herë, se në radhë të parë, nëse do të ketë këtë marrëveshje, kjo marrëveshje bazë me aneks zbatues, ku do të jenë dakord të dyja palët, para së gjithash do të jetë efektive në aspektin ekonomik. Sepse më në fund kjo zonë do të zhbllokohet në mënyrë progresive nga kufizimet e shumta që pengojnë bashkëpunimin ekonomik dhe ne të gjithë e dimë se e ardhmja e kësaj zone, nuk është vetëm problem i Kosovës dhe Serbisë por edhe i rajoneve të tjera të Ballkanit Perëndimor, pra është ekonomia. Ne duhet të gjejmë një mënyrë, të ndërtojmë ura për ndërtimin e ekonomisë, dua të them, të një ekonomie të shëndoshë që mban popullsinë e të gjitha zonave brenda vendit të tyre, duke shmangur “ikjen e trurit” që fatkeqësisht ndikon në mënyrë të veçantë të gjitha vendet, përfshirë Kosovën”, thotë ai.

Sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe zbatimin e tij./KosovaPress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA