Video/ Policët britanikë ndjekin me kuaj shoferin që pikasën duke përdorur celularin në timon (fotot)

17/03/2023 18:10

Pamje sa dramatike dhe qesharake janë publikuar sot nga autoritetet britanike, nga kamerat trupore të dy oficerëve në kalë që nisën të ndiqnin makinë e personit që panë duke përdorur celularin në timon.

Të gjithë e dinë se gjatë drejtimit të makinës ne as duhet t’i prekim celularët, e jo më t’i përdorim apo të flasim me to, shkruan me ironi rrjeti britanik Ladbible.

Prandaj dhe policët me kalë hynë menjëherë në veprim kur panë dike që shkelte rregullat, edhe pse mjeti i vetëm lëvizjeje që kishin ishin kuajt ku kishin hipur.

Dhe kështu dy policët e ‘Avon and Somerset’ në jugperëndim të Britanisë, kthyen kuajt dhe u vunë në ndjekje të shkelësit.

Kamerat trupore tregojnë momentet kur kuajt e mëdhenj të policisë i afrohen mjetit, çka duhet të ketë qenë një eksperiencë plotësisht e frikshme për shoferin.

Burri dëgjohet që u lutet oficerëve duke thënë se kishte një fëmijë pa qejf, dhe policët e kalojnë cështjen vetëm me një paralajmërim.

Teksa shpërndante videon në llogarinë e tyre në rrjet, policia e Avon and Somerset shkruante: “oficerët e njësisë së kalëruar në mbështetje të ndalimeve kundër rrezikut të përdorimit të celularit në timon. Shoferi u pikas dhe u ndalua në East Reach, #Taunton. Shoferët përballen me 6 pikë dhe £200 gjobë, nëse kapen duke përdorur celularin.”

Por ndalimi i pazakontë tërhoqi shumë vëmendje me komunitetin online, për faktin se policë në kuaj bëjnë ndalime në trafik.

“Duket si një skenë nga filmat me kauboj”, shkruante një prej tyre.

Një tjetër shkruante me ironi: “Imagjino të të ndjekë kali i policisë kur je me makinë. Policët duhet të kishin kapele me drita të kuqe e blu, ose një sirenë blu në kokën e kalit”.

FOTO GALERI
1/3
Kamerat trupore tregojnë momentet kur kuajt e mëdhenj të policisë i afrohen mjetit, çka duhet të ketë qenë një eksperiencë plotësisht e frikshme për shoferin.

Top Channel