“Koha e të paprekshmëve dhe të strehuarve në ombrellën e pushtetit ka mbaruar”- ishte ky mesazhi i kryeministrit Rama në konferencën e përbashkët me dy zyrtarët e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Oliver Várhelyi, për të treguar se Shqipëria ka përparuar në reformën në drejtësi.

Kryeministri Rama tha se reforma në drejtësi ka dhënë rezultate dhe se po godet zyrtarët e lartë, ashtu siç nuk ishte menduar ndonjëherë më parë se mund të ndodhte në Shqipëri.

Në fjalën e tij Rama tha për Inegrimin ne Bashkimin Europian, se Shqipëria sot nuk është më në fund të trenit të Integrimit, por është në krye në rajon.

Pjesë nga fjala e Ramës:

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për gjithë mbështetjen që kemi marrë prej jush dhe prej Komisionerit Varhelyi në një proces që ka qenë tejet i vështirë dhe në një periudhë kohe jo të shkurtër shumë i padrejtë ndaj Shqipërisë për arsye të konjukturave politike që tanimë janë kapërcyer dhe sot me mbledhjen për herë të parë të Këshillit të Stabilizim Asociimit jashtë Brukselit, ju na keni dëshmuar edhe njëherë tjetër respekt, përkushtim dhe vullnet të palëkundur për të na mbështetur në këtë rrugë që tanimë është e çelur, e drejtë dhe natyrisht, jo pa vështirësitë e veta.

Më vjen shumë mirë që atmosfera e kësaj mbledhjeje ishte jashtëzakonisht pozitive. Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënieje strategjike. Shqipëria, sot nuk është më në fund të trenit të integrimit, por është në krye, në këtë rajon ku roli ynë vlerësohet si model në aspektin e promovimit të paqes, të dialogut, të normalizimit dhe më lejoni t’iu them që ne shohim me admirim përpjekjen për tuaj normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këndvështrimin tonë dokumenti i normalizimit i paraqitur prej jush është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës dhe Serbisë dhe unë dua të besoj me gjithë zemër e me gjithë mendjen që as njëra palë, as tjetra, nuk do t’ia lejojnë vetes të mos e përqafojnë plotësisht dokumentin dhe programin e implementimit të tij sepse realisht BE përmes jush dhe në bashkëpunim me SHBA , i kanë ofruar Kosovës, Serbisë, rajonit, gjeneratave të tjera, një rruge të re, një portë të hapur të se ardhmes në paqe dhe një kohë tjetër të nevojshme për të arritur në përmbylljen përfundimtare procesin e njohjes reciproke.

Nga ana tjetër, duke folur për Shqipërinë dhe ecurinë e procesit, ne jemi shumë të lumtur sot që të konstatojmë se gjërat kanë shkuar sipas parashikimeve, nuk kemi asnjë vonesë, nuk kemi asnjë problem dhe mbi të gjitha ne sot mund të konstatojmë dhe sa herë takohemi, mund të rikonstatojmë ecurinë e reformës në drejtësi.

Reforma në drejtësi ka filluar të japë frute domethënëse. Natyrisht nuk është një fushë me lule, ka edhe ajo ferrat dhe gropat e veta, por një gjë është fakt, në Shqipëri po ndodh ajo që deri shumë përpara, shumë pak kohë përpara, askush nuk e imagjinonte.

Drejtësia në Shqipëri, institucionet e reja, prokuroria speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po godet njerëz, individë të lidhur me pushtetin apo jo, por këta të parët kanë më shumë rëndësi sesa të tjerët siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendit dhe po tregon kjo reformë dhe po tregojnë këto institucione dhe po tregojmë dhe ne bashkë me to, që koha e të paprekshmëve dhe koha e të strehuarve nën ombrellën e pushtetit ka mbaruar.

Nga ana tjetër unë jam krenar që në rajon Shqipëria është i vetmi vend që e ka hedhur këtë hap. Është i vetmi vend që e bërë këtë reformë dhe është i vetmi vend që e ka hedhur këtë hap. Nuk di asnjë vend tjetër të rajonit ku drejtësia godet pa parë majtas, pa parë djathtas, por duke parë vetëm drejt dhe thashë, reforma po jep rezultate. Natyrisht që zbatimi ka problemet e veta, natyrisht që nuk është fushë me lule, ka ferra, ka gropa, por ne nuk i kemi vënë në asnjë moment në diskutim ato që drejtësia e re vendos, përkundrazi, i kemi mbështetur vazhdimisht, e kemi bërë dhe do vazhdojmë ta bëjmë të qartë që cilido qoftë nëse ka punë me drejtësinë, duhet të marrë avokat.

Partia Socialiste që qeveris, qeveria nuk ofrojnë shërbime avokatie për askënd dhe kjo është një arritje domethënëse e Shqipërisë në një proces kur ne duam tani të hyjmë në një fazë të re me prokurimet publike. Duam të bëjmë të njëjtën gjë dhe po përgatisim një reformë që do të përmbysë tërësisht sistemin e zbatimit të prokurimeve publike që siç vlerësohet edhe nga raportet e Komisionit dhe nga qëndrimet e Këshillit, kanë bërë përparime të konsiderueshme, por heqja e prokurimeve nga duart institucioneve është objektivi ynë dhe për këtë po bashkëpunojmë me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara, UNOPS me të cilët do të paraqesim shumë shpejt një platformë që do të transformojë komplet prokurimet publike dhe nuk do të ketë më zyrtarë të lartë që do të kenë lidhje me prokurimet publike. Ky është një tjetër revolucion që do ta ngrejë Shqipërinë në një tjetër nivel në aspektin e transparencës dhe në aspektin e luftës kundër korrupsionit sepse aty është një nga problemet kryesore.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA