Prej kohësh, zyrtarët amerikanë kanë theksuar nevojën për të mbrojtur Ballkanin Perëndimor nga ndikimi rus në vazhdën e pushtimit të paprovokuar dhe brutal të Ukrainës, por këto javët e fundit, sensi i urgjencës në thirrjet e tyre tingëllon i amplifikuar.
“Lufta e Rusisë tregoi qartë se çfarë rëndësie ka puna jonë për të ndihmuar të gjitha vendet e rajonit të çojnë përpara plotësisht reformat demokratike dhe të përmbushin aspiratat e tyre për integrim në institucionet europiane dhe euroatlantike”, tha një zëdhënës i DASH-it.
Rusia vetë ka kërkuar ta shtojë praninë në rajonin me rëndësi kyçe gjeostrategjike për të, duke e parë dhe si një mundësi më shumë për të minuar BE-në e NATO-n. Në betejën e saj për influencë në Ballkanin Perëndimor, Moska vazhdimisht i ka përdorur rezervat e tij natyrore e ato të energjisë si një armë gjeopolitike, teksa njëkohësisht financon dhe mbështet në mënyrë të paligjshme partitë politike të krahut të djathtë dhe grupet e djathta ekstreme, thotë Eureporter. Ndikimi rus në Malin Zi dhe Serbi është mirë dokumentuar me kohë.
Shkrimi i Eu Reporter u fshi nga faqja vetëm pak orë pas publikimit. Por dokumentet e publikuara aty qarkullojnë në të gjitha mediat dhe tani i takon SPAK të hetojë vërtetësinë e tyre.
Tani duket se më shumë vëmendje po marrin Shqipëria e Maqedonia e Veriut, të cilat kanë qenë historikisht më pak të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve ruse, kryesisht dhe për shkak të mosmbështetjes së Moskës për energji apo mungesës së lidhjeve kulturore.
Megjithatë, gjatë dekadës së fundit janë përdorur metoda të tjera për arritjen e qëllimeve të Kremlinit, e ato, siç nënvizon shkrimi, përshijnë financimin e partive opozitare me ndjenja pro-ruse si dhe përpjekjet për të paguar nën dorë ose rekrutuar anëtarë të aparatit të sigurisë e atij politik. Duke përmendur një raport të deklasifikuar të inteligjencës amerikane për 2022, Eureporter thotë se Rusia shpenzoi 500,000 dollarë amerikanë për financimin e partisë politike opozitare të qendrës së djathtë të Shqipërisë, PD në zgjedhjet e 2017-tës.
Dyshohet po kështu se ajo ka mbështetur grupe të ekstremit të djathtë të cilat kanë propaganduar teori konspirative se kryeministri aktual Edi Rama dhe partia e tij Socialiste kontrollohen nga George Soros.
Dëshmi të mëtejshme të zbuluara, vazhdon shkrimi duke i shoqëruar pohimet me faksimile, tregojnë gjithashtu se Monika Kryemadhi, bashkëshortja ish-presidentit shqiptar, Ilir Meta që qeverisi në koalicion me PD-në, ka marrë po atë vit një sërë pagesash përmes firmash offshore nga kompani të kontrolluara prej biznesmenësh rusë të naftës që kanë lidhje të ngushta me Kremlinin. Aty flitet për një pagesë të Kryemadhit në një kompani offshore, “Vradus Holdings”, që u zbulua se kontrollohej nga Vitaly Savvin, një tregtar rus nafte, kompania e të cilit sipas Forbes ka qenë një nga donatorët kryesorë të partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar.
Kryemadhi po kështu, nënvizohet të ketë marrë pagesa nga kompania offshore “Holdem Holdings”, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan. Smuzikov dhe Kaplan e vunë pasurinë e tyre në botën e trazuar të naftës ruse në një kompani të kontrolluar nga oligarkë vendas, të cilët që prej atëherë janë sanksionuar për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin. Është e paqartë pse Kryemadhi i ka marrë këto pagesa nga këta biznesmenë rusë, theksohet në shkrim, ku duke cituar dokumentet, evidentohet fakti që referencat e pagesës përfshijnë ‘dividendët për aksionerët’ dhe ‘shërbimet e marketingut’.
Në 2016-tën, Reuters raportoi se Smuzikov dhe Kaplan kishin qenë fshehurazi pala që kontrolloi përpjekjen e një kompanie fantazmë në Britani për të marrë Makpetrol-in, distributorin kryesor të produkteve të naftës në Maqedoninë e Veriut, por oferta e tyre asokohe u bllokua nga autoritetet maqedonase.
Top Channel