Kaosi në PD/ Ish-kreu i KQZ-së tregon si mund të futen në zgjedhje kandidatët e Berishës: Ka ndodhur dhe në vitin 2001

15/03/2023 16:11

I ftuar në “Top Talk” me gazetarin Ardi Pulaj, ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume tha se Sali Berisha mund të garojë në zgjedhje me logon e vet, që ka miratuar në 11 dhjetor.

“Kandidatët do të garojnë me siglën e koalicionit, kjo nuk e ndalon PD-në, Berishën dhe ndjekësit e tij që të zhvillojnë fushatë zgjedhore, duke artikuluar që duhet të mbështeten nga demokratët dhe të garojnë me logon e vet, me atë që kanë miratuar në 11 dhjetor”.

Ish-kreu i KQZ-së kujton zgjedhjet e vitit 2001, kur shumica e kandidatëve të PD-së hynë në zgjedhje si kandidatë të pavarur.

“PD nuk e ka për herë të parë një situatë të tillë. Kujtoj zgjehdjet e 2001, 95 kandidatë nga 100, ishin në fletë të votimit si të pavarur. Kjo pati efekt, por jo aq sa të humbte mandati në zonat ku votuesit kanë qenë pro atij kandidati”.

E rëndësishme pavarësisht logos, thotë Kume, është fushata që kandidatët duhet të bëjnë në zonat e tyre elektorale.

“Ka shumë rëndësi dhe kandidati vetë, edhe kandidatët e këshillave bashkiakë, që të jenë pjesë intensive e fushatës. Janë zgjedhje ku në fund të fundit, qytetarët, nëpërmjet votës së tyre, zgjedhin se kush do t’i qeverisë në punët e tyre lokale. Duan përfaqësuesin e tyre. Është i rëndësishëm mirëorientimi i zgjedhësit”.

Top Channel