Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një procedurë tenderimi të kryer nga Bashkia e Kuçovës, e cila prej dy vitesh ka blerë një mjet (rul) për ngjeshje rrugësh.
Por, nga janari 2021 kur është bërë procedura e prokurimit e deri më sot, ky mjet i blerë nga fondet e bashkisë së varfër, ka punuar vetëm 10 orë.
Fiks Fare ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, i cili ka pasur si objekt “blerje një mjeti për ngjeshje rruge, rul”. Fondi limit për këtë tender ishte 1.115.000 lekë të rinj ose mbi 10 mijë euro. Në tender morën pjesë dy firma, “Muça 2006” që ofroi 1.073.000 lekë dhe firma “Shehu me ofertë 980.000 lekë.
Firma e cila ofroi më pak, “Shehu” u skualifikua pasi nuk plotësonte dokumentet, më saktësisht “nuk plotëson specifikimet teknike të mjetit për vitin e prodhimit që kërkohet jo më pak se viti 2000”. Gjithashtu nuk plotësonte dokumentet në lidhje me peshën, e cila duhet të ishte jo më pak se 2000 kg. Pas kësaj procedure, mjeti u ble dhe disponohet që nga janari 2021 nga Drejtoria e Komunale e Kuçovës.
Megjithatë, në redaksinë e Fiks Fare mbërritën informacione se ky mjet ka punuar vetëm 10 orë gjithsej nga janari 2021 deri në ditët e sotme. Menjëherë sapo është blerë, u parkua pranë banesës së manovratorit dhe s’ka dalë më prej andej.
Grupi i Fiks Fare udhëtoi në qytetin e Kuçovës, pikërisht te vendi ku qëndronte mjeti. Ai ishte parkuar pranë një banesë, ndërsa me sy të lirë shikohej se s’kishte lëvizur prej kohësh. Të gjitha pjesët ishin shkatërruar, i gjithi kishte filluar të amortizohej.
Gazetarët biseduan me z. Skënder Meçaj, drejtor i Komunales së Kuçovës. Ai tha se mjeti është në gjendje pune dhe mund të ndizet dhe të punojë. Madje, pohoi në telefon se do të shkonte vetë te mjeti dhe do ta ndizte!
Por, a e ndezi?! Këtu fillon edhe i gjithë kalvari i drejtorit dhe drejtuesit të mjetit. Për më shumë se dy orë, ata tentuan me të gjitha mjetet për ta vënë në punë, por ishte e kotë. Fillimisht, manovratori vuan për rreth 30 minuta, duke ndërruar bateri dhe lëvizur të gjitha pjesët për ta ndezur. Por, edhe pasi e ndez, sërish mjeti nuk ecte! S’kishte naftë, por edhe pasi i hedh lëndën djegëse, sërish probleme të shumta mekanike, xhenerike dhe elektrike. Punonjësit iu deshën plot 1 orë e 30 minuta që ta rindizte sërish, duke hequr dhe vënë tuba. Duke bërë lidhje me dorë.
Pasi u ndez sërish, gazetarët i kërkuan një demonstrim të vogël, të lëvizte disa metra. Këtu filluan problemet e tjera, pasi nuk ecte as para dhe as pas. Kësaj herë, drejtori dhe manovratori tentojnë të rregullojnë levën. Qëndrojnë sërish rreth 1 orë. Heqin telat që çojnë energji te kutia e shpërndarjes. Por sërish mjeti nuk ecën, pasi ka probleme të mëdha.
Në fund ata “dorëzohen”, teksa fajësojnë qëndrimin e gjatë në atë vend. Manovratori Pëllumb Dema pohon se e ka punuar atë mjet që nga muaji janar 2021, kur edhe e blenë. “Mjeti ka punuar, por tani ka disa defekte duke qenë se ka qëndruar në një kohë të gjatë pa punë” thotë ai, por pyetjes se iu deshën më shumë se 2 orë vetëm për ta ndezur dhe jo për të ecur, thotë se “tani ka defekte kutia e shpërndarjes dhe se bashkia do e rregullojë”.
Për një mjet të blerë vetëm 2 vite më parë rreth 10 mijë euro, Bashkia e Kuçovës do të shpenzojë të tjera para për ta rivënë në punë!
Top Channel