Sajmir Zefi, i burgosuri shqiptar që u dhunua nga katër policë në Greqi ka folur ekskluzivisht për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel.
33-vjeçari rrëfeu se është dhunuar barbarisht dhe është ofenduar rëndë nga efektivët gjatë transferimit të tij nga Selaniku në Athinë.
“Kam qëndruar 8 orë me pranga dhe skafandër motori në kokë, kërkoja ujë për të pirë nuk më jepnin, më ofendonin shumë keq, më shanin nga familja, ma futnin në shkelma, për 8 orë fiks. Filluan më goditën në autobus, me shkelma me grushta. Nuk flisja dot, e kishim aq keq skafandrën e bllokuar, unë kam shpëtuar vetëm nga drejtoresha e burgut, po mos të kishte dalë ajo në atë orë unë do të isha i vdekur sot”, tha shqiptari.
Racizmi është një nga arsyet që i burgosuri shqiptar thotë se çuan në dhunimin e tij të rëndë nga katër policët grekë.
“Janë shumë ofendime, nga shtëpia nga familja, racizme, shumë gjera të këqija. Jam dhunuar në sy të mamit, babit dhe të motrës, polici i tha do e marrësh me arkivol djalin sot. Unë në Kavall jam rritur, kam që dy vjeç e gjysmë në Kavall, nuk e di pse kaq keq këtë radhë ndodhën gjërat kështu, me atë policin, nga denoncimi që i bëra”, theksoi ai.
Kjo ngjarje mori përmasa të mëdha edhe në shypin grek ku iu referuan me hollësi dhe detaje torturave që i janë bërë 33-vjeçarit Sajmir Zefi. Tashmë ai kërkon drejtësi nga shteti grek.
“Unë kërkoj vetëm të drejtat e mia, nuk kërkoj asnjë gjë nga shteti grek. Mendon se do t’i marrësh? Unë mendoj se s’do t’i marr, unë kam dy fëmijë, nuk dua kurrë që t’i mësojnë këto gjëra fëmijët e mi“, tha ai.
Top Channel