Dy kompanitë më të rëndësishme të telekomunikacionit në Shqipëri u angazhuan në një bashkim historik, për t’u bërë ONE, duke prezantuar sot markën e re dhe duke festuar Ditën e Verës, me shfaqjen e dronëve që ndodh për herë të parë në rajonin e Ballkanit.

Marka dhe identiteti i ri i ONE Albania u prezantuan sot, pas bashkimit të suksesshëm të ALBtelecom dhe One Telecommunications. Drejtuesit e kompanisë së re shpalosën misionin dhe vlerat e ONE Albania, e cila është pjesë e grupit hungarez 4iG, që pas blerjeve të saj në sektorin e telekomunikacionit u bë investitori më i madh i huaj në Shqipëri. Grupi 4iG është gjithashtu i pranishëm në tregun e Malit të Zi , me ambicien për të rritur praninë e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“ONE Albania është këtu për të qëndruar dhe ne si 4iG Group jemi të përkushtuar të investojmë në teknologjinë dhe risitë më të fundit, për ta bërë këtë operator më të preferuarin e shqiptarëve. Vizioni ynë synon të mbështesë inovacionin dhe digjitalizimin, me angazhim të fortë për zbatimin e 5G-së, për t’u bërë lider tregu në shërbimet e teknologjisë së info-komunikimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – tha Peter Fekete, Drejtor Ekzekutiv i Grupit 4iG.

ONE Albania ka zgjedhur enkas festivalin e Ditës së Verës për të prezantuar identitetin e ri. Marka e re ONE Albania krijon sinergji në treg dhe përfaqëson energji, pozitivitet, lumturi dhe miqësi, vlera me të cilat kjo ditë festohet nga shqiptarët.

“Thirrja e parë në rrjetin fiks dhe telefonata e parë në rrjetin celular në Shqipëri janë realizuar nga kompanitë që trashëguam. Teksa historia jonë e përbashkët vazhdon, sot fillon e ardhmja. Kompania e bashkuar, ONE Albania do mundësojë shfaqjen e parë në Ballkan me një flotë prej pesëqind dronësh, duke përdorur rrjetin tonë celular.” – tha Emil Georgakiev, Drejtor Ekzekutiv i ONE Albania.

Përveç prezantimit të markës së re, ONE Albania nisi edhe angazhimet e para konkrete. Gjatë vitit, kompania i është përkushtuar zgjerimit të rrjetit të fibrave optike, duke lidhur 30% më shumë familje në Shqipëri, duke siguruar internet të cilësisë më të lartë. Për konsumatorët e saj celular, ONE Albania ofron 30% rritje të shpejtësisë së internetit për përdoruesit e të dhënave, duke shtuar frekuenca në përdorimin e rrjetit celular. Vëllimi i përgjithshëm i investimeve do të arrijë në 200 milionë euro në 5 vitet e ardhshme dhe do të përdoret në infrastukturën bazë dhe zhvillimet në teknologji, përfshirë 5G.

Rrjeti celular i kompanisë është më i madhi dhe më moderni në Shqipëri, me 1100 stacione mbulimi në të gjithë vendin, me teknologjinë Ericsson, i gatshëm për 5G-në. ONE Albania ofron gjithashtu nivelin më të lartë të sigurisë në komunikim dhe në mbrojtjen e të dhënave për abonentët e saj, në përputhje me standardet botërore. Kompania e përbashkët ka rrjetin më të madh të linjës fikse në vend, me 5,400 km fibër optike (rrjet kryesor dhe ndërqytetas). Ne ofrojmë lidhje me shpejtësi të lartë, deri në 1 Gbit/s përmes rrjetit tonë fibër në shtëpi, që e bëjnë kompaninë një lider mbarëkombëtar të 4 produkteve (4P – rrjet i lëvizshëm, rrjet fiks, TV dhe internet) në treg.

Si dhe vetë slogani “ONE – Për ty”, fokusi kryesor i kompanisë është konsumatori. Drejtuesit e ONE Albania dhe grupit 4iG konfirmuan angazhimin e tyre për investime dhe për vënien në zbatim të teknologjisë 5G në Shqipëri. Vizioni i ONE Albania është të udhëheqë zhvillimet e fundit në treg dhe të prijë digjitalizimin e vendit, duke i sjellë përfitime shqiptarëve.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA