Reforma në drejtësi solli një seri institucionesh të reja që kontrollon vendimmarrjen e  gjyqtarëve dhe prokurorëve, por për rastin e Fatjon Muratit, i liruar befasisht nga gjykata, nuk ka ende asnjë verifikim.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë thotë se nuk ka vendosur ende nëse do t’i kontrollojë apo jo dy qëndrimet kontradiktore të gjyqtares Migena Laska që pas arrestimit të Muratit e konsideroi atë të rrezikshëm dhe e la nën arrest me burg.

Por 3 muaj më pas, e njëjta gjyqtare e dërgoi nën arrest shtëpie të dyshuarin me pretendimin kontradiktor se ai nuk ishte i rrezikshëm. Akoma më i dyshimtë mbetet qëndrimi i prokurorisë, e cila pranon gjatë zbutjes së masës së sigurisë se Murati nuk ka precendentë të mëparshëm. Por shkresat që Top Channel disponon, ekspozojnë dijeninë e plotë të akuzës për profilin e të dyshuarit, që ndërkohë kishte kërkuar sekuestro të pasurive të tij si një personazh i dyshimtë i botës së krimit.

Pas atentatit në Don Bosko, në një ambient publik ku perimetri është kthyer në një skenë krimi, pikëpyetjet më të mëdha i adresohen institucioneve të së drejtës, nëse rakordohen apo jo me njëra-tjetrën.

Sikurse kuptohet, skandaloz mbetet edhe fakti tjetër i qëndrimit nën arrest shtëpiak të 33-vjeçarit që sakaq u arratis, ndonëse e njëjta polici e klasifikonte atë si të rrezikshëm e për rrjedhim edhe kontrolli ndaj tij duhet të ishte më i plotë. Murati ishte midis personave të pyetur për atentatin ku u vra Brilant Martinaj, nipi i Ervis Martinajt dhe përplasja midis dy grupeve është pista kryesore. Një përplasje që vrau në lokalin që duhet të ishte realisht nën sekuestro qytetaren Mimoza Paja, e punësuar nga familja Murati.

Mimoza ishte në çastet e fundit të jetës në lokalin ku punonte. Veç shenjave të plumbave, shenja të tjera domethënëse tregojnë se sa e brishtë është jeta e qytetarit në Shqipëri. Shapkat e Mimozës, syzet dhe xhupi i saj janë ende në vendin ku ajo u vra nga krimi.

Top Channel