Kina do të rihapë kufijtë e saj për turistët dhe do të rifillojë lëshimin e të gjitha llojeve të vizave të mërkurën, ndërsa po përpiqet të rigjallërojë turizmin dhe ekonominë e vendit, pas kufizimever tre-vjeçare të lidhura me pandeminë e COVID-19.
Kina është një nga vendet e fundit të mëdha, që rihap kufijtë për turistët. Në shkurt autoritetet kineze njoftuan atë që e quajtën një fitore vendimtare ndaj COVID-19. Lëshimi i vizave rifillon të mërkurën.
Gjithashtu do të rifillojë hyrja pa viza, në vende të tilla si ishulli Hainan, si dhe për anijet turistike që hyjnë në Shangai, vende ku para pandemisë nuk ishte e nevojshme pajisja me vizë.
Të huajt që kanë viza të lëshuara para datës 28 mars 2020, të cilat janë ende të vlefshme, do të lejohen të hyjnë në Kinë. Po kështu do të rifillojë hyrja pa viza në Guangdong të Kinës jugore, për të huajt që hyjnë nga Hong Kongu dhe Makao. Njoftimi nuk përmendte nëse do të kërkoheshin çertifikata vaksinimi ose teste negative për COVID-19, por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin u tha gazetarëve të martën, se Kina kishte “marrë masa për testimin në distancë të atyre që vijnë në Kinë nga vendet përkatëse”.
Kina zbatoi një strategji të ashpër kundër koronavirusit të quajtur “zero-COVID”, që përfshinte bllokime të papritura dhe testime të përditshme për COVID-19, në një përpjekje për të frenuar virusin. Por mes kundërshtive publike në rritje, Pekini u detyrua të heqë dorë në dhjetor të vitit të kaluar, nga pjesa dërrmuese e kufizimeve që përfshinte kjo politikë.
Top Channel