Prishtina ka ndërprerë bashkëpunimin me Ismet Munishin. Trajneri mori drejtimin e skuadrës së zemrës në korrikun e vitit të kaluar.
Objektivi ishte rikthimi i rekordmenëve të futbollit dardan te trofetë. Prishtina bëri një revolucion gjatë merkatos së verës.
Skuadra ndryshoi totalisht, ndërkohë që në fushë u shfaq plot oshilacione. Humbja e së dielës ndaj Malishevës (1-2) rezultoi fatale për 48-vjeçarin.
Me anë të një komunikate zyrtare, klubi i Prishtinës njoftoi mbylljen e bashkëpunimit me Munishin, i cili drejtoi kryeqytetasit në 22 ndeshje.
Trajneri i përkohshëm do të jetë Debatik Curri, ish-lojtari i kombëtares shqiptare. Prishtina renditet në vendin e katërt në kampionat, duke qenë 7 pikë larg zonës europiane.
“Faleminderit Ismet Munishi! Bordi i FC Prishtinës ka vendosur që ta ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Ismet Munishi.
Një vendim i tillë ka ardhur për shkak të mos arritjes së rezultateve të dëshiruara në ndeshjet e fundit. FC Prishtina e falënderon përzemërsisht Munishin për punën e bërë në skuadër”, shkruhet në postimin e Prishtinës.
Top Channel