Gjykata e Apelit Sportiv ka refuzuar ankesën e Romës, për dënimin me dy ndeshje të vendosur ndaj Mourinhos në ndeshjen kundër Cremoneses në kampionat.
Jose Mourinho nuk do të ulet në stol në dy ndeshjet e ardhshme të Seria A, që do ta shohin Romën të përballet me Sassuolo-n dhe Lazio-n.
Kjo u komunikua nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) përmes një postimi në faqen e saj zyrtare.
“Pas pezullimit të urdhëruar të shtunën e kaluar, Gjykata e Apelit Sportiv e kryesuar nga Umberto Maiello hodhi poshtë ankesën e paraqitur nga Roma në lidhje me dënimin me 2 ndeshje të vendosur ndaj Jose Mourinhos. Trajneri, i përjashtuar gjatë ndeshjes ndaj Cremonese të luajtur të martën më 28 shkurt për kampionatin, ishte sanksionuar me 2 ndeshje skualifikim dhe 10 mijë euro gjobë nga gjyqtari sportiv për kundërshtimin e ashpër dhe provokues të një vendimi arbitrazhi, duke përsëritur një sjellje të tillë në momentin e masës së përjashtimit dhe gjithashtu për shkak se, në fund të ndeshjes, ka hyrë, edhe nëse është e autorizuar, në dhomën e zhveshjes së arbitrit, drejtuar zyrtarit të katërt me shprehje dhe konkluzione serioze ofenduese”.-shkruan FIGC.
Siç dihet, skualifikimi që iu bë fillimisht trajnerit nga arbitri ishte pezulluar për shkak se Prokuroria Federale po zhvillonte një hetim për mosmarrëveshjen që i njëjti Mourinho kishte pasur me zyrtarin e katërt të Cremonese-Roma në dhomat e zhveshjes.
Në fund të ndeshjes, Mourinho kishte shpjeguar se kishte reaguar pas fjalive që i ishin drejtuar nga gjyqtari i katërt dhe se për këtë arsye po përpiqej të kuptonte edhe nëse mund të vepronte nga ana ligjore.
Pezullimi i skualifikimit e kishte lejuar të shkonte në stol gjatë ndeshjes Roma-Juventus më 5 mars, por vendimi i Gjykatës së Apelit Sportiv për të refuzuar tani ankesën nga klubi “verdhekuq”do të kërkojë që ai të qëndrojë larg pankinëss në dy ndeshjet e ardhshme, pikërisht me Sassuolon më 12 mars dhe derbin me Lazion më 19 mars.
Top Channel