Roma hodhi një hap të sigurt për në çerekfinalet e Europa League-s me fitoren 2-0 në shtëpi kundër Real Sociedadit. “Verdhekuqtë” shënuan nga një gol për pjesë dhe shkojnë të qetë në sfidën e kthimit në Spanjë.
Trajneri Jose Mourinho u shfaq i kënaqur pas ndeshjes dhe deklaroi se te Roma kanë merita të gjithë lojtarët dhe se rezultatet pozitive vijnë nga puna në grup.
“Djemtë luajtën të organizuar, me përpjekje dhe ndjeshmëri. Ne e kontrolluam ndeshjen. Gol i dytë mund të jetë i rëndësishëm. Forca e Romës, janë djemtë, si ekip. Mund të flitet për portierin që pret shumë, për qendërmbrojtësit që bëjnë punën e tyre. Por pa punën e të gjithëve, kjo do të ishte e pamundur. Rezultati 2-0 është i mirë, gjithashtu pozitiv është fakti se nuk kemi humbur në 3 ndeshjet e fundit”.
Tekniku portugez në përfundim bëri një shaka duke krahasuar stolin e Bayernit në Champions League me atë të Romës.
“Bayerni kundër PSG-së kishte në stol emra të tillë si Gnabry, Mané dhe Sané. Unë nuk i doja ata të tre, por vetëm njërin prej tyre. Dybala do ta asistonte dhe do ta mbyllnim ndaj Sociedadit që në ndeshjen e parë”.
Top Channel