Inceneratorët, çfarë ka në duar drejtësia për Ahmetajn? Doçi dhe Kikia tregojnë faktet në “Top Talk”

10/03/2023 18:48

Gazetarët Adriatik Doçi dhe Mentor Kikia shprehen se kontrollet e SPAK dhe BKH në banesat e bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt janë të vonuara.

Të ftuar në Top Talk, gazetarët tregojnë, cilat janë sipas tyre, shkeljet ligjore në ndërtimin e inceneratorëve.

Doçi tregon se vilat që sot janë në pronësi të ish-gruas dhe partneres së ish-ministrit të Financave janë porositur nga Klodian Zoto. Ky i fundit ka përdorur mikun e Ahmetaj, për t’ia dhënë vilën Ahmetajt.

“Kontrata e parë është mes Klodian Zotos dhe kompanisë që ka ndërtuar resortin. Më pas, Klodian Zoto për të fshehur gjurmët që do t’i kalonte vilën Ahmetaj, ia kalon shokut të Ahmetaj dhe ky shoku ia kalon bashkëshortes së Ahmetajt.

Nuk kemi të bëjmë thjesht me pagesat, faturat që ka bërë Klodian Zoto. Kemi të bëjmë me përgjigjen që i ka dhënë i gjithë personeli i hoteleve Klodian Zotos për pagesat që i ka bërë ai. Sepse i ka kërkuar informacion.

Mesa duket, ka qenë një moment që Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto janë prishur në pazar. Dhe pastaj Klodian Zoto ka mbledhur prova për Arben Ahmetajn”.

Faturat e pushimeve në hotele luksoze jashtë vendit, janë fakte që nuk mund të manipulohen, shton gazetari.

“Se si mund të sajohet për shembull, një fjetje në hotel në Monte Carlo, ndërkohë që përputhet me sistemin TIMS që ai ka kaluar.

Është e pamundur që të bëhet një manipulim i tillë. Por nëse do të kishte një pretendim për manipulim, duhet të bënte një referim penal në SPAK. Sikurse e kam bërë unë, dhe nëse ky kallëzim përmban elemente të rreme dhe shpifëse, unë mbaj përgjegjësi penale”.

Gazetari tregon për email-et mes Zotos dhe kompanisë ndërtuese të këtyre vilave.

“Nuk diskutohet që pagesat janë reale dhe të faktuara. Në momentin që vila kishte nisur të kalonte te Gerian Kuki dhe pastaj te Erjola Hoxha, kompania i dërgon email Klodian Zotos dhe e informon për ecurinë e punimeve.

Në fund, pasi përfundon vila, kompania ndërtuese, i dërgon email Zotos dhe i thotë që vila është gati”.

Ndërsa Kikia e vë theksin te një tjetër shkelje. Sipas tij, ndërtimi i inceneratorëve është i jashtëligjshëm dhe më shumë se vjedhjet që janë bërë, drejtësia duhet të merret fillimisht me këtë problem.

“Operacioni i mbrëmshëm, së pari nuk ka një justifikim zyrtar nëse është në llogari të hetimit për inceneratorëve apo për llogari të ndonjë çështjeje tjetër.

Çështja e inceneratorëve është hetuar vetëm në pjesët anësore të saj deri më tani. Kanë ardhur vëdallë dhe nuk kanë hyrë asnjëherë në thelbin e gjësë. Inceneratorët janë ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme, pasi duhet të ishin bërë me prokurim.

Nuk është hapur garë, dhe këtu ngecin hetimet për të zbuluar jo thjesht përfshirjen periferike, qoftë të Arben Ahmetajt, me kontrolle shtëpisë e të tjerë, por dhe të çdo deputeti”.

Fakti që Ahmetaj, pronat i ka zhvendosur në emër të garev, të çon në dyshimin se këto prona janë bërë me para të pajustifikuara, thotë Kikia.

“Inceneratorëve nuk u është prekur thelbi. Ndërtimi, jo vjedhjet, duke bërë oxhakun më të vogël dhe oborrin më të madh. Ndërtimi i inceneratorëve është bërë në kundërshtim me ligjin. Janë objekte të ndërtuara me para publike dhe si të tilla duhet të ishin bërë me prokurim”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA