Bizonët evropianë kërcënohen nga gardhi kufitar i Polonisë, thotë ministria bjelloruse (fotot)

10/03/2023 19:29

Autoritetet kufitare bjelloruse publikonin sot pamje te bizonëve, kafshëve më të mëdha evropiane, në pyllin Białovieża pranë kufirit me Poloninë.

Ata thonin se kafshët simbolike po kërcënohen nga gardhi kufitar që po ngre Polonia, për të ndaluar kalimin e emigrantëve ilegalë.

Pylli i lashtë evropian i Bialolieza në zonën mes Polonisë e Bjellorusisë, strehon popullatën më të madhe të bizonëve në Evropë.

Vitin e kaluar Polonia ngriti një mur metali përgjatë kufirit me Bjellorusinë pas një krize të shkurtër të emigrantëve ilegalë.

Sot ministria e jashtme bjelloruse tha se gardhi përfaqësonte një rrezik për kafshët, duke ndaluar lëvizjen e tyre të lirë e duke kufizuar zhvillimin e tyre gjenetik.

“Puna e Polonisë për ngritjen e gardhit në kufirin me Bjellorusinë, po kërcënon përsëri ekzistencën e bizonit evropian”, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Zyrtarët polakë refuzuan pretendimet dhe akuzonin Bjellorusinë për manipulim të fakteve dhe për “shfrytëzim të çështjeve ekologjike kundër Evropës”.

“Këto akuza janë ngritur prej muajsh,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme polake Lukasz Jasina për rrjetin AFP.

“Larmia gjenetike e bizonëve është parimisht e kufizuar pasi ata vijnë nga të njëjtët individë që u sollën këtu në vitet 1920, si rezultat i përpjekjeve të Polonisë”, shtoi ai.

Bizoni evropian është në fakt një histori suksesi e konservimit biologjik në Evropë, por në vitet 1920-të numrat e tyre ishin reduktuar shumë dhe Polonia nisi programin e shumimit të kontrolluar.

Individët e rinj u lëshuan në botën e egër në 1952 dhe tashmë nuk konsiderohen në rrezik zhdukjeje. Vetëm në pyllin Bialovieza u llogaritën vitin e kaluar 14000 bizonë evropianë

FOTO GALERI
3/4
Zyrtarët polakë refuzuan pretendimet dhe akuzonin Bjellorusinë për manipulim të fakteve dhe për “shfrytëzim të çështjeve ekologjike kundër Evropës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA