Mercedesi ka qenë një ndër surprizat negative të fillimit të Botërorit në Formula 1.
Në të vërtetë shefi i skuadrës Toto Wolf në një farë mënyre kishte paralajmëruar se makinat W14 nuk ishin në të njëjtin nivel me Ferrarin dhe Red Bull, por realiteti që shfaqi gara e parë në Bahrein ishte edhe më i keq.
Ish-dominuesit e çmimit për konstruktorë nga 2014 deri në 2021, edhe në këtë 2023 po “zvarriten”, e madje u arritën e u kaluan edhe nga Aston Martin, duke qenë se si George Russell ashtu dhe Lewis Hamilton iu desh ta mbyllnin garën pas Fernando Alonsos.
Hamilton e mbylli me plot 50 sekonda diferencë nga fituesi i garës Verstappen që bëri të dridhet edhe Ferrari. Zhgënjimi është i madh te skuadra nga Shtutgart pasi vitin e kaluar Mercedesi ishte skuadra që u rrit më shumë gjatë sezonit, në tentativën për të ngushtuar hendekun me Red Bull dhe Ferrari, duke ngritur pritshmëritë se këtë viti muzika do të ndryshonte.
Gjërat gjithsesi nuk shkuan kështu, pasi këtë herë Hamilton ishte edhe më i ngadaltë se në nisjen e sezonit të kaluar, një e dhënë kjo shqetësuese për teknikët në Shtutgart.
Lewis Hamilton nuk e ka fshehur zhgënjimin e madje edhe nervozizmin, pasi në një podcast të BBC teksa komentonte disfatën në Bahrein u shpreh se te Mercedes nuk e kanë dëgjuar. 7 herë kampioni i botës deklaroi se ai e dinte shumë mirë se për çfarë kishte nevojë makina në këtë sezon të ri.
“Kishte gjëra që ua thashë vitin e kaluar. Ju kam dhënë kaq shumë makinave në jetën time, e di se për çfarë ka nevojë dhe për çfarë nuk ka nevojë një njëvendëshe. Mendoj se bëhet fjalë për të marrë përgjegjësinë dhe ta pranojnë duke thënë; ‘E di, nuk të dëgjuam, nuk jemi aty ku duhet dhe na duhet të punojmë’.
Gjithsesi më pas Hamilton kërkoi të mbetet konstruktiv duke shtuar;
“Gjithsesi ne jemi disa herë kampionë, nuk ja dolëm në 2022 dhe këtë vit se kuptova se çfarë nuk funksionoi, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëjmë mirë duke ecur përpara në sezon e sipër”.
Top Channel