Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë “gjithëpërfshirës dhe efikas”.

Gjatë një vizite në një biznes në Graçanicë më 8 mars, Kurti tha për gazetarët se po vazhdojnë përgatitjet për takimin e radhës të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që do të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

“Pritjet tona janë që do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e 18 marsit, që do të mbahet në Maqedoninë e Veriut, në Ohër. Dhe do të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe nga efikasiteti”, tha Kurti.

Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të 27 shkurtit në Bruksel, u shprehën të gatshëm të punojnë për planin e zbatimit për propozimin evropian.

Propozimi evropian synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, palët nuk e nënshkruan këtë propozim gjatë takimit të 27 shkurtit. Kurti sërish përsëriti qëndrimin e tij, se ai ishte i gatshëm ta nënshkruante dokumentin.

“Unë isha i gatshëm për të nënshkruar kur ishim në Bruksel, andaj ju e kuptoni që për marrëveshje duhen dy palë dhe nuk mjafton vetëm njëra. Është dëm që teksti i dakorduar me pesë fjali në preambulë dhe me 11 nene gjithsej, tashmë nuk është nënshkruar më 27 shkurt. Pse nuk po ka nënshkrime, besoj që përgjigjen duhet ta kërkoni te të tjerët”, tha ai.

Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin se pret që palët ta nënshkruajnë propozimin evropian, tekstin e të cilit e kanë publikuar më 27 shkurt.

Propozimi përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Për punën lidhur me hartimin e planit të zbatimit, më 9 mars, në Prishtinë dhe Beograd do të qëndrojë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA