Goditi portierin serb në fushë, kërkohet dënim me burg për tifozin holandez

08/03/2023 12:34

Një episod aspak i këndshëm u regjistrua në ndeshjen e Europa League të datës 23 shkurt mes PSV dhe Sevilla.

Një prej fansave të skuadrës holandeze u fut në fushë dhe vendosi nën shënjestër portierin e spanjollëve. Gardiani serb Marko Dmitrovic e gjeti veten nën sulmin e tifozit ndërsa nuk ngurroi edhe t’i kundërpëgjigjej atij.

Megjithatë, për fat të mirë sherri u “shua” shpejt pasi ndërhynë punonjësit e sigurisë. Tashmë, çështja vijon jashtë fushe dhe në seancën gjyqësore është kërkuar një dënim me burg deri në tre muaj për tifozin që sulmoi portierin serb.

Në fakt, 20-vjeçari shpreson t’ia hedhë pa u dënuar ndërsa pretendon se nuk mban mend asgjë nga ajo natë. Ai tha para gjykatëve se nuk i kujtohet të ketë goditur portierin ndërsa shtoi se thjesht vrapoi në fushë dhe në momentin e fundit rrëshqiti.

Nga testet e kryera rezultoi se 20-vjeçari ishte i dehur në momentin që u fut në fushë, mirëpo sërish kjo nuk e justifikon dhe vështirë ta shpëtojë nga dënimi. Sakaq, përveç pjesës ku rrezikon një dënim me burg, 20-vjeçari pritet të përjashtohet për pjesën e mbetur të jetës nga stadiumi i PSV.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA