Të paktën gjashtë palestinezë janë vrarë dhe 11 janë plagosur nga mësymja e sotme e ushtrisë izrelite në qytetin Xhenin në Bregun Perëndimor, tha ministria palestineze e shëndetësisë.
Mes të plagosurve dy kishin plagë të rënda, shtohej në deklaratë.
Ushtria izraelite tha se aktualisht ‘po vepronte në kampin e refugjatëve në Xhenin’, në veri të Bregut Perëndimor, por nuk dha më shumë informacione pasi situata e përplasjeve vijon.
Dëshmitarët thanë për rrjetin e Katarit, Al Jazeera se një shtëpi ishte rrethuar nga ushtria dhe goditur me armë të rënda. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregonin gjithashtu helikopterë mbi kolonën e autoblindave që hynin në qytet.
Autoritetet israelite thanë se një palestinez i vrarë dyshohej si autor i vrasjes së dy burrave nga një koloni izraelite pranë fshatit palestinez Huwara javës që shkoi, sipas rrjetit izraelit Channel 12.
Aksioni në Xhenin vijonte ende pasditen e sotme (e martë, 7 mars 2023). “Ndërkohë një tjetër bastisje po kryhet në një tjetër kamp banimi të zhvendosurish palestinezë në jug të Nablus,” raportonte nga Ramallah, Sara Khairat për rrjetin Al Jazeera.
Natën e të hënës, kolonë izraelitë kishin sulmuar një palestinez në fshatin pranë vendbanimit, teksa kërkonin hakmarrje për vrasjen e dy izraelitëve disa ditë më parë.
Ushtria izraelite shpërndau turmat në ato që quante “trazira të dhunshme” në Huwara. Video në rrjetet sociale tregonin të rinj të maskuar në të zeza që sulmonin një makinë palestineze para se shoferi të arrinte të largohej.
Në të tjera pamje shihen ushtarë Israelitë që kërcejnë me kolonët hebrej në atë që ishte festivali hebre i Purim. “Huëara është pushtuar tashmë!” dëgjohet një zë në video.
Vrasjet e ditëve të fundit nga ushtria kanë shkaktuar zemërim e dënim të gjerë në botë.
Top Channel