Khvicha Kvaratskhelia është padyshim zbulimi i këtij sezoni në Serie A, me gjeorgjianin që pavarësisht se luan thjesht vitin e parë në elitën italiane, po ndihmon Napolin në rrugëtimin drejt titullit kampion.
Por, e gjithë paraqitja e sulmuesit anësor nuk mund të kalonte pa u vënë re nga ana e klubeve më të mëdha europiane teksa një prej tyre është edhe Real Madrid.
Së fundmi, është një prej legjendave të Los Blancos që po tenton të joshë 22-vjeçarin. Fjala është për ish-mesfushorin Guti i cili thekson se nëse Kvaratskhelia transferohet në Madrid, atëherë do t’i dhurojë fanellën e tij.
“Nëse vjen tek Real Madrid, atëherë do t’i dhuroj fanellën time”, ishin fjalët e Gutit. Që në fakt nuk ishin rastësore, pasi gjeorgjiani ka pasur një admirim për Gutin duke u shprehur se është dashuruar me futbollin pikërisht prej ish-futbollistit madrilen.
Madje, Kvaratskhelia theksoi se në Gjeorgji nuk kishte fanella të Gutit dhe në këtë formë ai bleu një bluze të bardhë dhe nga pas shkroi numër 14. Por, tashmë mjafton të transferohet në Madrid dhe Kvaratskhelia mund të shijojë një fanellë origjinale nga idhulli i tij, pengesë është vetëm Napoli që nuk mund ta humbasë një xhevahir si gjeorgjiani.
Top Channel