25-vjetori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/ ​Krasniqi: 5,6 dhe 7 marsi shënojnë ditët kur ka lindur liria e Kosovës

06/03/2023 14:18

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bashkë me anëtarë të kësaj partie sot në shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz, raporton KosovaPress.

Krasniqi u shpreh se datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë ditët kur lindi liria e Kosovës.

Kreu i PDK-së kujtoi se viteve të fundit shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bëhet në mungesë të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë.

“Datat 5,6 dhe 7 mars shënojnë ditët kur ka lindur liria e Kosovës dhe qytetarëve tanë si çdo shqiptar tjetër e konsiderojmë obligim për të ardhur këtu në Prekazin e lavdisë së familjes Jashari për të treguar respektin tonë të përjetshëm, vlerësimin e pafundmë për sakrificën e tyre titanike e cila i dha drejtim luftës çlirimtare të UÇK që mundësoi edhe masovizimin e radhëve të UÇK-së por edhe rrugën e çlirimit për ta gëzuar lirinë që e kemi sot.

Padyshim që në ditë të shënuara si kjo ne në këto vitet e fundit e ndjejmë shumë mungesën edhe të themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre që janë të privuar nga liria dhe po mban larg nesh. Besoj që në ditë të tilla çdo shqiptar para se gjithash duhet ta kuptojë dhe vlerësojë në mënyrën më të veçantë këtë sakrificë të familjes Jashari po ashtu edhe jetën që e ka dhënë secili dëshmor i luftës çlirimtare të UÇK-së”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA