Pas garancive amerikane, mbërrin edhe ato gjermane për qeverinë e Kosovës që ngurron të pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës, siguroi Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde në një intervistë për Radio Kosovën.

Diplomati i lartë nënvizoi se Berlini i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit ku palët deklaruan se pranojnë planin e bllokut. Ai e bëri të qartë se në dhjetë ditët e ardhshme, nga Kosova dhe Serbia pritet të bëjnë një përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.

“Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik”, u shpreh Rohde, i cili sqaroi se “pika kryesore e këtij plani  është vendosja e trenit në binarë të rregullt dhe nëse marrëveshja do të zbatohet, atëherë i jemi afruar qëllimit pasi kjo është njohje de-fakto e Kosovës nga Serbia”.

Por ai theksoi gjithashtu se pritshmëria nga të dyja palët është që t’i përmbahen asaj për të cilën janë zotuar dhe kanë premtuar të hënën në Bruksel, pra se e kanë pranuar këtë dokument dhe jo të thonë gjëra që bien në kundërshtim me zotimet e tyre. Liderët pra, në sytë e Perëndimit, e kanë dhënë fjalën e tyre e nuk mund te kthehen mbrapsht. Por çfarë ndodh nëse e bëjnë një të tillë? Natyrisht do të ketë pasoja për palën që nuk tregohet konstruktive, tha ambasadori, që shtoi se tani presin të dëshmohet vullnet politik dhe të hyhet në detajet e zbatimit të planit, duke kapërcyer tashmë vonesat e rrëshqitjet nga një krizë në tjetrën.

Top Channel