
Familja e një vajze të re britanike të vrarë me thikë nga i dashuri i saj “komandues”, kanë folur së fundmi për dhimbjen e tyre.
22 vjeçarja Elinor O’Brien, u qëllua për vdekje me thikë nga 45 vjeçari Kevin Mannion, pas një konflikti në apartamentin e tyre në Manchester, kur vajza i kërkoi llogari për lidhjet me femra të tjera.
Në gjyqin e ngjarjes së rëndë të gushtit 2022, u tha se burri e kishte goditur me thikë por ishte përpjekur të largonte fajin nga vetja duke thënë se ishte aksidentale, dhe më vonë pretendonte se nuk e dinte si kishte ndodhur.
Ai u shpall fajtor kësaj jave dhe tani përballet me burgim të përjetshëm.
Sot kushërira e Elinor, Mollie Lune, 23 vjeçe, mirëpriti verdiktin e fajit dhe i bënte homazh të ndjerës duke thënë: “Ajo duhet të ketë qenë e tmerruar të fliste për abuzimin dhe kjo më thyen zemrën. E kishte mbajtur sekret të gjithë vuajtjen e saj, edhe nuk ishte në natyrën e saj”.
Mollie shtonte: “Unë dhe Elinor kemi lindur me vetëm katër javë diferencë dhe jemi rritur bashkë, nëna ime është motër e babait të saj. Ne luanim bashkë dhe kemi qëndruar gjithmonë afër.”
Por verës që shkoi Elinor ndryshoi numrin e telefonit dhe vajzat humbën kontaktet për një muaj.
Mollie thotë: “Unë nuk kontaktoja dot me Elinor dhe kjo nuk ishte normale, e dija që ajo kontrollohej dhe abuzohej nga ai monstër.”
“Elinor ishte e bukur, mahnitëse dhe jeta që kishte përpara iu mor brutalisht”.
Pas goditjes me thikë Mannion thërriti numrin e emergjencës dhe i tha se e dashura e tij po vdiste.
Në gjyq Mannion tha fillimisht se nuk e dinte sesi ishte plagosur e dashura dhe se e kishte gjetur atë të shtrirë në korridor.
Mannion nuk tregonte asnjë emocion kur juria dha verdiktin e fajësisë, të plagosjes me dashje dhe të sjelljes imponuese e kontrolluese.
Dënim për Mannion do të jepet javën që vjen.
Top Channel