Po jeton ëndrrën e pabesueshme, Annecy “hirushja” e Kupës së Francës

02/03/2023 17:50

Annecy është një emër ndoshta jo shumë i njohur për komunitetin sportdashës në Shqipëri.

Por skuadra e këtij qyteti me një sipërfaqe prej 66.94 km/katror është mes katër ekipeve më të mira në Kupën e Francës. Skuadra e qytetit alpin që shtrihet në pjesën juglindore të Francës, regjistroi një kualifikim historik në Velodrome.

Të kuqtë mundën pas goditjes së 11-metërshave ekipin e Marseille, në një ndeshje emocionuese ku ndodhi gati gjithçka. Annecy ka në përbërjen e saj vetëm katër lojtarë të huaj, ndërsa të tjerët janë futbollistë francez. Pjesa më e madhe prej tyre nuk kanë luajtur në nivele shumë të larta ose kanë patur shumë pak hapësira.

Skuadra militon në nivelin e dytë të futbollit francez, ndërsa nuk ka luajtur asnjëherë në Ligue 1. Nga maji i 2021, trajneri i skuadrës është Laurent Guyot. 53-vjeçari, në karrierën e tij pikën më të lartë e ka regjistruar kur drejtoi ekipin e 17-vjeçarëve të Francës. Ecuria e Aneccy deri në gjysmëfinale ka qenë e gjatë, pasi i është dashur që të eliminojë pesë skuadra duke përfshirë dhe Marseille.

Në tri ndeshjet e fundit në këtë kompeticion i është falur goditjes së 11-metërshave. Në ligën e dytë franceze Aneccy ndodhet në mesin e tabelës, por pa rrezikuar rënien. Por edhe pa shpresë për të arritur play-off, çka i mundëson që të fokusohet tek ndeshja gjysmëfinalja e Kupës së Francës që do të luhet muajin e ardhshëm.

Annecy do të gjejë përballë një mes Lyon, Toulouse dhe Nantes. Stadiumi ka një kapacitet prej 15660 spektatorësh. Tifozët shpresojnë që shorti të vendosë që ndeshja e këtij ruandi t’i përballë skuadrat në “Parc des Sports”. Të gjithë ëndërrojnë ta kthejnë në një festë madhështore këtë ecuri historike të skuadrës së qytetit që ka një popullsi preh afro 130 mijë banorësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA