Zyrtare/ Struga vendos për trajnerin, prezanton Shpëtim Duron

01/03/2023 18:31

Shpëtim Duro do të jetë pjesë e skuadrës së Strugës. Ashtu siç Supersport lajmëroi një ditë më herët, tekniku 63-vjeçar është prezantuar këtë të mërkurë nga kryesuesit e kampionatit të Maqedonisë së Veriut.

Në postimin e bërë në faqen e klubit bëhet e ditur se Duro ka nënshkruar një kontratë deri në fundin e edicionit të ardhshëm. Ndërkohë që ndihmësi i Duros në këtë aventurë të re do të jetë Meriton Gega.

Struga e nisi mjaft mirë sezonin duke patur një ecuri mbresëlënëse në fazën e parë. Por në javët e fundit skuadra ka pësuar rënie të lirë, duke barazuar në tri ndeshje radhazi. Fitorja e parë për vitin 2023 nuk ka ardhur ende.

Duro pason Srgjan Zaharieski i cili u largua pas ndeshjes me Makedonija GjP. 63-vjeçari ka shumë eksperiencë, teksa është shpallur një herë kampion i Shqipërisë, në sezonin 2010-2011 me ekipin e Skënderbeut. Ndërkohë eksperti i trajningut shqiptar ka fituar një herë dhe Kupën e Shqipërisë, po me ekipin korçar. Në karrierën e tij, krahas Skënderbeut Duro ka drejtuar Besën e Kavajës, Vllazninë, Partizanin, Flamurtarin, Kukësin, Laçin dhe Egnatian në Superiore.

Por edhe Dritën në Kosovë. Pas Shkëndijës, ai pritet që të ketë aventurën e dytë në Maqedoninë e Veriut. Këtë herë me ekipin e Strugës, që pas 29 javësh ndodhet në vendin e parë me 39 pikë, dy më tepër se Shkupi që ka luajtur një ndeshje më pak.

Duro e nis rrugëtimin e tij me një ndeshje tepër të vështirë, pasi do të presë në datën 8 mars ndjekësin më të afërt, Shkupin, ku do të kërkojë që në premierën e tij të ndikojë që skuadra të bëjë kthesën drejt rrugës së titullit kampion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA