Shpresat e Sali Berishës që të marrë në Apel çelësat e partisë duket se janë zbehur.
Në prag të gjyqit te vulës, kryedemokrati nuk nguroi të akuzonte publikisht maxhorancën socialiste kur pranoi nën rreshta se fati i Partisë Demokratike është paracaktuar.
“Olta Xhaçka ka informuar ambasadorët se gjykatësit kanë vendosur sipas saj të pengojnë regjistrimin e PD në zgjedhje. Mendja ime nuk pranon që 3 gjykatës të marrin një vendim që do të shkojë në kohëra si vendimi më i zi për të përjashtuar opozitën nga zgjedhje në një kohë kur ajo plotëson çdo kusht ligjor.”– tha Sali Berisha.
Sinjalet jo të mira erdhën edhe nga shkalla e parë e gjyqësorit, që i preu shpresat mbështetësve të Sali Berishës për ç’regjistrimin Lulzim Bashës, i cili mesa duket është penduar për dorëheqjen publike dhe shpreson një rikthim.
“Avokati Indrit Sefa, nuk pranoi provat për dorëheqjen e Lulzim Bashës, mendoj se është tendencioze pasi është fakt i njohur botërisht se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen dhe duke qene se jemi disa dit para gjyqit te bujshëm të 3 marsit.”– tha Edit Harxhi.
Por, asi nën mëngë i Sali Berishës është Ilir Meta që ka intensifikuar takimet në zyrën e kryedemokratit. Në mungesë të një vule dhe firme legjitime, Partia e Lirisë shihet si korsia e emergjencës për të futur në garë kandidatët e Berishës, të cilët janë në pritje të sqarimit të konfliktit të pronësisë së Partisë Demokratike.
“Kanë sjell kërkesë për regjistrim 21 subjekte zgjedhore.”- tha Celibashi.
Nëse Meta është aleat besnik për Berishën, partitë e tjera duket se do të qëndrojnë larg këtij konflikti. Shpëtim Idrizi, Agron Duka dhe Fatmir Mediu kanë dërguar kërkesa për regjistrimin e partive të tyre pa pritur fatin e Berishës në Apel.
Top Channel