Paga minimale bëhet 40 mijë lekë/ Qeveria: Subvencion për kostot shtesë të biznesit me shumë punëtorë

01/03/2023 12:40

Nga 1 prilli paga minimale do të rritet në 40 mijë lekë. Me vendimin e ri që e bëri me dije ministrja e Financave Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë paga minimale në rang vendi rritet me 6 mijë lekë.

“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u mor sot vendimi për përcaktimin e pagës minimale, e cili shkon nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Kjo pagë i atribuohet si sektorit privat edhe atij publik. Çdo punëmarrës dhe punëdhënës është i detyruar të zbatojë vendimin e pagës minimale që nga data 1 prill. Që do të thotë që në pagën që punonjësit do të marrin më muajin maj do të jetë e reflektuar rritja”, u shpreh ministrja e Financave.

Po ashtu, ministrja Ibrahimaj tha se një tjetër vendim i miratuar sot nga qeveria është edhe subvencionimi i bizneseve në disa sektorë për kontrbutet e sigurimeve shoqërore.

“Kjo ndihmë vjen në suport të atyre bizneseve që kanë një numër të lartë punonjësish. Numri i përafërt që përfitojnë nga kjo masë është rreth 30 mijë persona. Kjo mbështetje do të jepet të gjithë subjekteve për të mbështetur koston shtesë gjatë gjithë vitit 2023. Është një politikë që do të ndiqet në vijimësi nga qeveria shqiptare edhe për vitet në vijim, për të gjitha rritjet të pagës minimale të cilat do të jenë më të larta se sa rritjet normale që kanë qenë të zbatuara vitet e kaluara”, tha Delina Ibrahimaj.

Mbështetja do të vazhdojë ndërkohë edhe për ushtarakët, pasi nga 1 marsi të gjithë ushtarakët në vend do të përfitojnë rritje page prej 7 për qind.

 

Top Channel