Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i ka mbërritur nga kreu i shtetit amerikan, Joe Biden, ftesa për të marrë pjesë në Samitin e dytë për Demokraci.

Samiti do të mbahet në fund të marsit në formatin virtual. Mbi 100 shtete janë thirrur t’i bashkohen eventit të krijuar me iniciativë të Bidenit. Edicioni i parë i tij u zhvillua në dhjetor të 2021-shit dhe Kosova u ftua dhe atëherë.

Në një deklaratë të presidencës kosovare, nënvizohet se Osmani është zgjedhur në mesin e dhjetë liderëve që të flasin në seancën plenare, kur do të diskutohet mbi rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve të qëndrueshme.

“Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tre zotimet e saj që kishin për qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftën ndaj autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me në fokus avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore”, thuhet në deklaratë ku lihej të kuptohej se pikërisht për shkak të këtij suksesi, në mesin e aq shumë vendeve pjesëmarrëse, Kosova është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë të bashkëudhëheqë në grupin që ka për tematikë sundimin e ligjit.

Në këtë takim, sikur edhe në të parin, do të diskutohet për rëndësinë e demokracisë dhe se si shtetet të adresojnë më së miri sfidat globale. Biden qe shprehur në samitin e parë se “bota është në vitet e para të një dekade vendimtare për të ardhmen kolektive”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA