Protestë para gjyqit të “vulës”/ PD më e qetë, kërkon të mos përjashtohen deputetët para përballjes me Ramën

23/02/2023 14:55

Demokratet lanë bilbilat në shtëpi dhe u nisën drejt Parlamentit me të njëjtin skenar si herën e shkuar për të pamundësuar një seancë normale.

Garda u kujdes t’i bënte skanerin ligjvënësve demokratë duke i bllokuar kapërcimin e pragut të Parlamentit 8 deputetëve të përjashtuar.

Edhe këtë të enjte plani ishte i njëjtë. Bllokim i foltores dhe pajisje zhurmuese. Beteja kundër McGonigal ka bërë bashkë demokratët.

Demokratët kishin marrë masa të ishin më të përmbajtur nga frika e një përjashtimi masiv që mund t’i mbante larg seancës për përballjen e 2 Marsit me Kryeministrin, moment që nuk kaloi pa ironinë e socialistëve.

“NJë minutë heshtje për Edmond Spahon që ra në Komisionin e Etikës si një revolucionar i vërtetë.  Ai ishte pa diskutim më i guximshmi në bilbilfryrëve”, tha Elisa Spiropali.

“Kërkoj masë për Elisa Spiropalin që ka fyer rëndë Edmond Spahon, ka thyer kodin e etikes”, tha Ina Zhupa.

Demokratët këmbëngulën për ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që kryefjalë të ishte skandali McGonigal, por socialistët përdoren forcën e kartonëve për të refuzuar.

“Lidhur me mocionin me debat, është vendosur data 2. Më duket qesharake që ju të mos pranoni datën 2 por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni. Jam i sigurt që pas datës 3 s’do jeni më kështu. E rëndësishme është që problemet e brendshme mos i sillni këtu”, tha Taulant Balla.

Fjalët e Taulant Ballës mbërritën edhe në veshin e Sali Berishës, i cili mundonte të mbante lart frymën e protestës jashtë sallës. Me tone kërcënuese kryedemokrati paralajmëroi skenarin e 3 Marsit nëse ai humbet gjyqin e vulës.

“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3, unë të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare. Për tre minuta, po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon! Në çdo rast, marshi drejt Surrelit, do jetë marshi ynë”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në bastin e tij të 3 marsit Sali Berisha ka në krah aleatin e betejave të vjetra, Ilir Metën.

FOTO GALERI
13/56

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA