Romakët “zbarkojnë” në Spanjë: Karnavelet me kostume epoke elektrizojnë Cadizin

21/02/2023 13:17

Në qytetin spanjoll të Cadizit, karnavalet janë një ngjarje e shumëpritur, e ashtu si në pjesën tjetër të Europës, ato zbarkojnë me një shpërthim të hareshëm ngjyrash e kostumesh, në mesin e monotonisë së hirtë të dimrit, që tashmë është në grahmat e fundit.

Rrugët  e tij u mbushën me njerëz, duke i dhënë jetë nisjes së sezonit të karnavaleve, siç ndodh zakonisht në fund të shkurtit apo në fillim të marsit. Këtu mbahet një prej kremtimeve më të bukura të të gjithë Europës, të paktën sipas vendasve.

“Karnavalet e Cadizit janë ndër më të famshmet, dhe për këtë, qytetin e ndihmon shumë fakti që është port se ka shumë lëvizje. Është një qytet që mirëpret të gjitha llojet të ndikimeve: ritme, melodi, muzikë, gjuhë e thekse të ndryshme, me pak fjalë të gjitha përzierjet kulturore”, tha Javier Osuna, historian.

Në Cadiz, festivali merret shumë seriozisht nga organizatorët. Kremtimi i tij shoqërohet edhe me evente të rëndësishme kulinarie e muzike në ajër të hapur.

Kostumet e shumëllojshme janë pjesë e pandashme e tij, por muzika gjithashtu luan të rëndësishëm në të gjithë procesin, ndërsa artistë të pajtuar për këtë qëllim lëvizin nëpër rrugët mesjetare të qytetit, duke ofruar performanca e kompozime unike, ku nuk mungon padyshim as kërcimi- si pjesë e rëndësishme e festës.

Top Channel