Vendimi i Gjykatës së Posaçme për të kaluar në gjykim dosjen për inceneratorin e Elbasanit rrëzoi të gjitha alibitë e ngritura nga dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi se Arben Ahmetaj ishte nën hetim.
Gjykata pranoi të marrë nën hetim dosjen e dorëzuar nga SPAK, ku mes të akuzuarve nuk ka asnjë zyrtar, ish-zyrtar dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave në atë kohë.
Madje, as vetë Ministria e Financave, apo ajo e Ekonomisë dhe e Sipërmarrjes që drejtohej nga Ahmetaj në kohën e dhënies së koncesionit nuk përmenden fare në dosje.
Në vend të tyre, nën akuzë janë marrë ish-anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave që kanë hartuar kontratën e koncesionit, por jo firmëtarët e kësaj kontrate, siç deklaroi në fund të seancës paraprake, avokati Sajmir Visha.
Vendimi i gjykatës rrëzoi të gjitha alibitë proceduriale të ngritura nga dy prokurorët e SPAK, sidomos pretendimin e tyre për ndarjen e dosjes në katër akte. E njëjta alibi u përdor prej tyre sa herë që në media denoncoheshin provat që implikonin Ahmetajn me këtë dosje.
Mes provave të publikuara nga Inside Story është edhe një vilë 1 milionë euroshe në zonën e Hamallajt, që Arben Ahmetaj zotëron tërthorazi në emër të partneres së tij aktuale, ndërsa më herët në kallëzimin e depozituar nga gazetari Adriatik Doçi janë edhe faturat e pagesave të hoteleve që Klodian Zoto ka bërë për ish-ministrin e Financave.
Ironik është fakti që provat e denoncuara në media për korrupsionin e Arben Ahmetajt kanë dalë nga kompjuterët e Klodian Zotos, të sekuestruar me urdhër të Klodian Braho dhe Eneid Nakuçit. Por, asnjëri prej dy prokurorëve nuk i panë këto prova, megjithëse panë të njëjtat fatura që implikojnë një ish-zyrtare të ministrisë së Energjetikës, e cila është marrë sot e pandehur në të njëjtën dosje, ndërsa Ahmetaj jo.
Top Channel