Në një rrugë të ngarkuar në periferi të Tbilisit, restoranti Pan Varenki është më modest.
Ngjyrat e flamurit të Ukrainës, e kaltër dhe e verdhë, mund të vihen re në tavolina dhe mure.
Në kuzhinën me mure xhami, gratë janë të zëna me palosjen e brumit dhe mbushjen e petëve ukrainase “varenyky”.
“Kur nuk ka më nevojë për punën tonë këtu në Gjeorgji dhe ukrainasit do të mund të kthehen në shtëpi, atëherë do të kthehemi edhe ne”, thotë 40-vjeçari Dmytro Korin.
Organizata e tij bamirëse, Unite Together, punoi me restorantin Pan Varenki, i cili organizoi një ngjarje për fëmijët refugjatë ukrainas, duke u përgatitur ushqime të ndryshme.
Unite Together mbështet ukrainasit që janë zhvendosur në Gjeorgji, pasi kanë ikur nga lufta në vendin e tyre, që nga shkurti i vitit 2022.
“Gjeorgjianët kanë qenë shumë mikpritës, por nuk mendoj se do të integrohemi përgjithmonë në Gjeorgji. Ne do të shkojmë në shtëpi kur të mundemi”, thotë Korin.
Ai dhe familja e tij ishin me pushime në Gudauri, në malet e Gjeorgjisë, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Dhe, nuk u kthyen më në shtëpinë e tyre në Zaporizhja, në Ukrainën lindore.
Së bashku me familje të tjera refugjatësh ukrainas, ata janë duke jetuar në një hotel në Tbilisi. Korin drejton organizatën Unite Together, të cilën e ka themeluar në prag të luftës.
Organizata bamirëse mbledh fonde për t’i mbështetur ukrainasit në Gjeorgji, i ndihmon ata me shkolla dhe mbështetje tjetër.
Fondet e mbledhura në Gjeorgji përdoren gjithashtu për blerjen dhe dërgimin e barnave në qytete të ndryshme në Ukrainë.
“Nga ditët e para ishte shumë e qartë për ne se kemi mbështetje të madhe nga gjeorgjianët”, thotë Korin.
“Njerëzit me të vërtetë u përpoqën të na ndihmonin, psikologjikisht, financiarisht etj… Menduam se ndoshta do të ishim këtu vetëm për një javë, por me punën në Unite Together përfunduam duke qëndruar këtu”, shton ai.
Korin është një nga rreth 120.000 ukrainasit që kanë hyrë në Gjeorgji prej se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tyre një vit më parë.
Shumë prej tyre e kanë shfrytëzuar Gjeorgjinë si rrugë transiti për në destinacione të tjera, por shumë të tjerë edhe kanë qëndruar, duke marrë mbështetje në fillim nga Qeveria gjeorgjiane dhe më vonë nga organizatat ndërkombëtare, si Agjencia e OKB-së për Refugjatë dhe grupi humanitar çek, People In Need.
Në një vend me ekonomi të ngadalshme, papunësi në rritje dhe me mbi 280.000 persona të zhvendosur brendapërbrenda – shumica e të cilëve nga Abkhazia – mbështetja në pakësim për refugjatët ukrainas ka nisur ta shqetësojë komunitetin.
Ashtu si Korin, shumë refugjatë ukrainas që kanë arritur në Gjeorgji pas pushtimit të Rusisë, kanë nisur projekte dhe iniciativa – shumë prej të cilave janë në shërbim të mbështetjes së ukrainasve të tjerë.
“Të gjithë në Tbilisi na ndihmuan shumë, si në shkollë, ashtu edhe me familjen time”, thotë Olena Kukharevsk.
Duke qenë se ka punuar në një shkollë private në Ukrainë përpara se të nisej për në Gjeorgji, në mars të vitit të kaluar, Kukharevsk hapi seksionin ukrainas në Shkollën 41 të Tbilisit në muajin prill. Mbi 120 fëmijë u regjistruan atje kur u hap, ndërsa në fund të vitit shkollor, ky numër u rrit në 500.
Duke pasur parasysh kërkesat në rritje, Kukharevsk dhe kolegë të saj hapën dy departamente ukrainase në Batumi – qytet në bregun e Detit të Zi të Gjeorgjisë – ku mbi 1.000 fëmijë ndjekin mësimet.
“Qeveria gjeorgjiane u dha fëmijëve laptopë. Bizneset dhe shkollat ndërkombëtare këtu na dhanë ndihmë. U caktuan autobusë për t’i sjellë fëmijët në shkollë dhe anasjelltas”, thotë Kukharevsk.
“Ka ende probleme me tekstet ukrainase; ato janë të disponueshme vetëm në formë elektronike, dhe për shkollën fillore kjo është shumë e vështirë. Nuk mund t’i mësosh një fëmije të lexojë pa një libër”, thotë ajo.
Por, shkollat nuk janë problemi i vetëm për refugjatët ukrainas në Tbilisi.
Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, qindra mijëra rusë u larguan po ashtu nga Rusia. Rreth 140.000 prej tyre hynë në Gjeorgji – vendin ku nuk kanë nevojë për viza.
Shumë nga rusët që u vendosën në Tbilisi, i përkisnin një klase të mesme urbane. Dhe, me rritjen e papritur të kërkesës për banesa, u rrit edhe tregu i qirave – mesatarisht mbi 200 për qind.
Kjo e bëri situatën gjithnjë e më të vështirë për refugjatët ukrainas, shumica e të cilëve u larguan duke lënë gjithçka pas vetes.
“Ukrainasit mund të gjejnë punë, por pagat nuk e mbulojnë koston e strehimit”, thotë Kukharevsk.
“Një tjetër problem është se ukrainasit duhet të qëndrojnë një vit në Gjeorgji përpara se të marrin një lloj statusi [të ligjshëm të banimit]”, shton ajo.
Anastasia, e cila kërkoi që mbiemri i saj të mos publikohet, u largua nga Dnjipro – qytet në Ukrainën qendrore që është bombarduar rëndë nga forcat ruse – menjëherë pas fillimit të luftës.
Prindërit e saj qëndruan në Ukrainë, ndërsa ajo shkoi fillimisht në kufi me Poloninë, përpara se të vendosej në Gjeorgji, bashkë me vajzën, motrën dhe mbesën e saj.
Në Ukrainë punonte si përkthyese, ndërsa në Tbilisi është në proces të hapjes së një furre të vogël buke.
“Unë e dua Tbilisin dhe faktin që njerëzit e mbështesin Ukrainën, që ka flamuj ukrainas nëpër ndërtesa. Kjo ta ngroh zemrën”, thotë ajo.
“Kam pasur një ide të shkoj në shtëpi – pa vajzën time – në shkurt, pasi më mungon shumë familja. Por, pas sulmeve të fuqishme në Dnjipro, këto plane kanë rënë. Dua që të përfundojë lufta dhe t’i shoh njerëzit e mi”, thotë Anastasia.
Më 14 janar, një sulm i Rusisë me raketa vrau së paku 46 persona në një bllok apartamentesh në Dnjipro.
Marta Drobina, një kuzhiniere 36-vjeçare ukrainase, e cila jetonte në Svalljava – qytet në Ukrainën perëndimore – arriti në Gjeorgji me makinë nga Polonia, pranverën e kaluar. Ajo është duke jetuar me qira në një apartament të vogël në periferi të Tbilisit, së bashku me djalin e saj, i cili ka nevoja të veçanta.
Drobina është duke punuar tashmë në një restorant hoteli, ku gatuan ushqime pan-evropiane për turistët.
Një herë në muaj, ajo merr një kupon ushqimi në vlerë prej 50 larish [rreth 19 dollarë] nga një organizatë joqeveritare. “OJQ-ja na dha një herë edhe një kupon prej 300 larish për rroba”, tregon ajo.
Derisa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e dytë, mbetet të shihet nëse mbështetja për ukrainasit në Gjeorgji – qoftë nga Qeveria, qoftë nga popullata – do të vazhdojë.
Kukharevsk thotë se ukrainasit besojnë se do ta fitojnë luftën dhe do të kthehen në vendin e tyre, por gjasat që lufta të përfundojë shpejt, sipas saj, janë ende të zbehta./ REL
Top Channel