Nga një kishë e vendosur mbi një luginë piktoreske në qendër të Kosovës, Ismet Sopi tregon se si familja e tij e fshehu besimin e saj katolik për shekuj pas konvertimit në Islam gjatë pushtimit osman të Ballkanit.
Për breza të tërë, paraardhësit e tij i mbajtën të fshehta besimet e tyre deri në vitin 2008, kur Sopi dhe familja e tij e përqafuan hapur katolicizmin dhe u pagëzuan së bashku.
“Deri në vitin 2008 kemi jetuar si katolikë të fshehur. Jetonim me dy fe, katolike dhe myslimane. Nga feja myslimane zakonisht festonim hapur Bajramin, ndërsa nga feja katolike zakonisht festonim Krishtlindjet dhe Pashkët”, tha Ismet Sopi, ish-gazetar në pension.
Jetonim si katolikë të mbyllur në dollap, rrëfen ai për AFP. Ishim myslimanë ditën, të krishterë natën. Momenti kur mundën të shfaqnin hapur besimin e tyre, qe një lehtësim i madh.
“Jemi shumë të lumtur. Është sikur t’i kishim paguar një borxh ndaj paraardhësve tanë, të cilët nuk e patën mundësinë ta kremtonin lirisht besimin e tyre si ne”, tha Sopi.
65-vjeçari thotë se 36 anëtarë të familjes së tij praktikojnë tani hapur katolicizmin. Këtë besim e kanë përqafuar hapur vitet e fundit një numër gjithmonë e më i madh laramanësh, siç quhen ndryshe kripto-të krishterët në Kosovë.
Sipas Sopit, rreth 120 vetë nga zona e Llapushnikut janë pagëzuar vetëm në dy vitet e fundit. Shan Zefi – famullitari i dioqezës Prizren-Prishtinë – vlerëson se katolikët përbëjnë dy deri në tre përqind të popullsisë 1.8 milionëshe të Kosovës, shumica dërrmuese e të cilëve janë myslimanë që praktikojnë një version liberal të kësaj feje.
“Dy të tretës se shqiptarëve iu imponua Islami nga Perandoria Osmane kundër vullnetit të tyre. Ishte një proces i gjatë pasi pushtimi dhe sundimi osman zgjati të paktën pesë shekuj, nga shekulli i 15-të deri në fillim të shekullit të 20-të”, tha famullari Shan Zefi.
Zefi shton se shqiptarët, në natyrën e tyre ndihen si perëndimorë, dhe nuk e identifikojnë veten me lindjen.
Top Channel