Në 15 vjetorin e lindjes së shtetit më të ri në Europë, bilanci është i qartë: është bërë shumë, Kosova është forcuar si vend e vazhdon të rritet, por forcimi i mëtejshëm i saj mbetet mision i të gjithëve.
Liderë shtetërorë e partiakë kujtuan sakrificën e pashembullt dhe qëndresën e brezave për liri dhe pavarësi. Përpara ligjvënësve në Kuvend, presidentja Vjosa Osmani kujtoi të gjithë ata që kontribuuan në formimin e shtetit të Kosovës, e foli dhe për sfidat brenda e jashtë territorit.
“Ta kujtojmë sakrificën e pashembullt dhe qëndresën e brezave. Ta kujtojmë presidentin historik Ibrahim Rugovën, t’i kujtojmë bijtë e bijat tonë të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës…të kujtojmë kontributin e ushtarëve të policisë, si dhe të ushtarëve të FSK-së, përderisa ne sot po festojmë ata po luftojnë për shpëtimin e jetëve nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti në Turqi…Kosova ka ndërtuar kapacitetet e saj shtetërore. Institucionet tona po forcohen dita ditës…Sfidat janë të pranishme dhe sot, ku Kosova falë përcaktimit të saj të mëhershme po përpiqet që të fuqizojë edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit drejt forcave euroatlantike”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Për kryeministrin Albin Kurti, shteti është sot Kosova, përbën një shembull të mirë të demokracisë “në këtë rajon problematik siç është Ballkani”. Akti i shpalljes së pavarësisë më 2008, tha ai, shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm për historinë moderne të vendit.
“Ky kapitull duhet të mbetet i tillë duke u mbrojtur politikisht dhe duke u forcuar nga të gjithë në secilin rast para çdo sfide. Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të rënë, siç erdhi edhe nga kontributi i tyre që i drejtuan dhe zhvilluar proceset politike shtet-ndërtuesese deri në këtë ditë”, tha Kurti.
Parlamentit në Prishtinë iu drejtua edhe presidenti shqiptar, Bajram Begaj, i cili shprehur kënaqësinë e tij që këtë ditë të shënuar e kalon në Kosovë.
“Jemi një komb që ka kontribuar për paqen në rajon dhe Evropë, pavarësisht se i ndarë nga kufijtë. Pavarësia e Kosova ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej Kosovës. ….Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresioni e as e ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes se Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Serbisë duhet të bashkëpunojë me qeverinë e Kosovës për stabilitetin dhe ruajtjen e paqes në rajon”, tha Bajram Begaj.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e shënuan 15 vjetorin e Pavarësisë me një ceremoni solemne shoqëruar me interpretime nga Filarmonia e Kosovës.
Top Channel