Angel Di Maria e kompletoi palmaresin e tij të trofeve me Kupën e Botës, dhjetorin e kaluar.
Më herët kishte fituar trofe të tillë si Copa America, Champions League dhe disa kampionate kombëtare dhe kupa, por sigurisht Botërori me Argjentinë është më i rëndësishmi për të.
Pjesa e Juventusit nga vera e vitit 2022, Di Maria nënshkroi kontratë me bardhezinjtë deri në vitin 2023.
Pas një pjese të parë të vështirë të sezonit për shkak të dëmtimeve, me nisjen e vitit të ri argjentinasi tregoi cilësinë e tij, atë që donin të shihnin tifozët e “Zonjës së Vjetër”.
Megjithatë, i intervistuar nga ESPN, Di Maria theksoi se ishte i lumtur, por që në gjendjen aktuale nuk ka diskutime për të zgjatur aventurën e tij bardhezi edhe për sezonin 2023/2024 apo më tej.
“Jam i lumtur, do të shohim…” Javët e fundit, Di Maria shpesh ka theksuar se ndihet mirë si bardhezi, por se ende nuk di asgjë për të ardhmen e tij.
“E ardhmja në Evropë? Nuk kam preferenca. Jam i lumtur këtu. Klubi ka disa probleme, kohët e fundit nuk është folur shumë për rinovimin. Nuk kam folur me Juventusin apo klube të tjera.
Mundohem të mendoj vetëm për të luajtur dhe të dëshmoj vlerën time në çdo ndeshje, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Di Maria gjithashtu bëri një pasqyrë të asaj që ndodhi në ndeshjen e parë ndaj Nantes (1-1) në Europa Leaguue, ku u largua nga fusha në pjesën e dytë:
“Kam pasur disa ngërçe, por i lashë pas. Allegri më pyeti se si isha dhe i thashë të priste, por më pas ai më zëvendësoi. Sot fola me trajnerin dhe ai më tha se donte të shmangte lëndimin. Mund ta kuptoj këtë.”
Top Channel