Shqipëria dhuron një milion euro për Turqinë, Rama: Nuk do ta harrojmë ndihmën pas tërmetit të 2019-ës

16/02/2023 08:13

Shqipëria është bërë pjesë e fushatës “Turqia Një Zemër”, duke dhuruar një milion euro, pas tërmetit vdekjeprurës të 6 shkurtit.

Kryeministri Edi Rama  komunikoi përmes telefonit në fushatën që po transmetohet në televizionet e Turqisë, ku deri më tani janë grumbulluar afërsisht 5,7 miliardë euro nga dhurues nga Turqia dhe jashtë saj.

Kryeministri shqiptar tha se nuk do ta harrojnë ndihmën që Turqia i ofroi Shqipërisë në tërmetin e 26 nëntorit të vitit 2019.

Gazetari: Në lidhje direkte kemi kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Fillimisht, faleminderit shumë. A mund të dëgjojmë mesazhet tuaja për Turqinë si kryeministër i Shqipërisë?

 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama: Faleminderit që më bëtë pjesë, jam shumë i nderuar të sjell në televizionin tuaj zërin e sensibilizimit të Shqipërisë. Shqipëria ka patur një ditë zie, me flamurin tonë në gjysmështize, për të shprehur solidaritet për këtë tragjedi. Ne kemi qenë sa më të shpejtë që mundëm të dërgojmë ekipet e shpëtimit. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që Turqia dhe Erdogan bënë pas tërmetit në 2019-ën, dhe kemi vendosur të mbështesim popullin turk. Shpresojmë se familjet turke do ta kalojnë këtë falë solidaritetit. Shqipëria në emër të qytetarëve shqiptarë do të dhurojë 1 milionë euro. E dimë që nevojiten shumë më tepër, por jemi pranë jush dhe japim çfarë të mundemi.

Gazetari: Shqipëria mund të jetë një vend i vogël por me zemër shumë shumë të madhe.  Një shprehje e urtë turke thotë “Kush jep pak nga pasuria e tij, jep shumë nga zemra”.  Faleminderit shumë të gjithë popullit shqiptar.

Mbi 35 mijë njerëz kanë humbur jetën nga tërmetet e 6 shkurtit me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë me epiqendër në Kahramanmaraş, nga i cili u prekën mbi 13 milionë persona në dhjetë provinca turke, përfshirë  Hatay, Gaziantep, Adıyaman, Malatya, Adana, Diyarbakır, Kilis, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndien lëkundjet e forta që goditën Turqinë jugore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA