Revista e përmuajshme amerikane ‘Rolling Stone’ raportonte dje lajmin bombastik, i cili hidhej poshtë si “lajm i rremë” nga këshilltarët e ish-presidentit.
Në artikullin e revistës së njohur thuhet mes të tjerash se ish-presidenti Donald Trump ka diskutuar mundësinë e transmetimit ne TV të ekzekutimeve të kriminelëve të dhunshëm.
Edhe pse grupi i fushatës së Trump e quante lajmin “qesharak”, Trump faktikisht ka përmendur se dëshiron gjykime të shpejta dhe dënim kapital për trafikantët e drogave dhe pedofilët.
Para njoftimit të kandidaturës së tij për zgjedhjet e 2024, Trump i kishte kërkuar një prej ndihmësave mundësinë e ekzekutimit të kriminelëve me skuadër pushkatimi, me varje ose me gijotinë, shkruan revista e majtë amerikane, duke cituar si burime “njerëz të afërt me situatën.”
Trump ka diskutuar gjithashtu mundësinë e ekzekutimit të kriminelëve në grupe, apo krijimin e një fushate shtetërore spotesh për të shfaqur pamje të këtyre ekzekutimeve, shtohet në artikull.
“Ish-presidenti beson se kjo do të nxisë te kriminelët frikën nga Zoti”, tha burimi revistës, i cili shtonte se atij i pëlqen idea e ekzekutimit të numrave të mëdhenj të trafikantëve apo krerëve të bandave.
“Këta kriminelë mund të vijojnë të drejtojnë grupet e tyre mafioze nga burgu, prandaj duhet të çrrënjosen, jo të burgosen”.
Por një zëdhënës i Trump refuzonte shkrimin si “një lajm i rremë qesharak, i shkruar nga idiotë që nuk e kanë idenë çfarë flasin”.
Ai shtonte se “këta gazetarë ose fabrikojnë gënjeshtra nga hiçi, ose revista Rolling Stone po lejon veten të gënjehet nga këta gomerë”.
Gjithsesi Trump, ashtu si të gjithë presidentët amerikanë, ka mbrojtur shpesh dënimin me vdekje dhe ka lavdëruar Kinën për aplikimin e gjerë të masës brutale.
Gjatë presidencës së Trump janë kryer një total prej 13 ekzekutimesh, shumica me injeksion fatal, edhe pse disa shtete lejojnë ato me karrige elektrike ose skuadër pushkatimi.
Top Channel