Pavarësisht se me kalimin e ditëve zbehen shpresat për gjetjen e të mbijetuarve, ekipet e shpëtimit në Turqi nuk dorëzohen, por vazhdojnë kërkimet nën gërmadha me të njëjtin intensitet.
Gjatë punës së tyre megjithatë, ka ndodhur që të ndeshen edhe në surpriza sikurse ishte rasti i një skuadre të huaj e cila, sipas mediave turke, në rrënojat e banesës ku po kërkonte gjeti sasi të madhe parash me prerje 100 dollarësh.
Mendohet se flitet për një shumë tek 150 mijë dollarë. Punonjësit e shpëtimit i kanë dorëzuar menjëherë paratë në polici, ndërsa nuk dihet ende kujt i përkasin ato. Ekipe shpëtimi nga 99 vende të ndryshme të botës gjenden në Turqi, ku po punojnë pa ndërprerë me shpresën të gjejnë ende njerëz të gjallë nën rrënoja pas tërmeteve që kanë marrë gati 40 mijë jetë njerëzish.
Shefi i Kombeve të Bashkuara sakaq ka bërë apel për mbledhjen e rreth 400 milionë dollarëve për të ndihmuar të mbijetuarit në Siri, në pjesën e kontrolluar nga rebelët, të cilët kanë shumë pak qasje në ndihma për shkak të luftës civile që vazhdon në këtë vend prej 12 vjetësh.
Apeli i Antonio Guterres erdhi një ditë pasi ai përshëndeti marrëveshjen mes OKB-së dhe presidentit sirian, Bashar al-Assad, për të hapur dy pika kalimi për një periudhë tremujore.
Top Channel