Një ditë më parë, një avion luftarak ushtarak amerikan shkatërroi një objekt të paidentifikuar mbi liqenin Huron me urdhër të Presidentit Joe Biden.
Ky shënoi incidentin e katërt të këtij lloji në harkun kohor të tetë ditëve, duke ngjallur çudi e mjaft pikëpyetje jo vetëm në SHBA, por edhe jashtë saj. Arsyeja e goditjeve të përsëritura u tha se ishte rritja e vigjilencës në përgjigje të një baloni kinez që u shfaq në hapësirën ajrore amerikane në fund të janarit.
Së fundmi, avionët luftarakë rrëzuan edhe objekte tjera fluturuese mbi Kanada dhe Alaskë, të cilat, sipas zyrtarëve të Pentagonit, nuk përbënin ndonjë rrezik sigurie. Megjithatë, objekti i rrëzuar të djelën fluturoi shumë pranë një zone të fshehtë ushtarake, e këtë departamenti amerikan i mbrojtjes nuk e mohoi.
Përpos balonës kineze, autoritetet amerikane nuk e njohin origjinën e objekteve të tjera. I pyetur drejpërdrejtë për këtë, gjenerali Glen VanHerck, kreu i komandës së mbrojtjes së hapësires ajrore te Amerikës së Veriut, nuk e përkashtoi mundësinë që prejardhja e tyre të jetë jashtëtokësore. “Do t`ia lë në dorë komunitetit të inteligjencës zbardhjen e këtij pazëlli”, u shpreh ai.
Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes, Melissa Dalton, deklaroi se frekuenca e shtuar e goditjeve mund të jetë për shkak të rritjes së kontrollit të hapësirës ajrore në lartësi më të larta, duke përfshirë përmirësimin e sistemit të radarit. Autoritetet amerikane e kanë bërë të qartë se monitorojnë vazhdimisht për përplasje të panjohura të radarëve dhe nuk është e pazakontë të mbyllet hapësira ajrore si një masë paraprake për t’i vlerësuar ato.
Top Channel