Nuk ka asnjë mundësi për një tërmet kaq të madh në tokën greke ka deklaruar në mënyrë kategorike nga Antiokia e Turqisë ku ndjek zhvillimin e fenomenit sizmik, Efthymios Lekkas, profesor i Gjeologjisë dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore në Universitetin e Athinës dhe president i Organizmit të Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmetet.
Qysh në orët e para pas tërmeteve të ditës së hënë që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve në Turqi e Siri, diskutohet gjerësisht nga sizmologët grekë pyetja , se nëse ka mundësi të përjetohet një tërmet kaq i fortë në Greqi dhe çfarë efektesh mund të ketë, me shumicën e tyre ta përjashtojnë, por edhe me zëra të veçantë për një tërmet deri në 8.5 ballë shkalla Rihter.
“E çara që ndodhi me tërmetin – të cilën ne ishim të parët që e pamë nga i gjithë komuniteti shkencor botëror – nuk ka asnjë lidhje me të dhënat sizmologjike greke, me çarjet tektonike greke si kinematikisht ashtu edhe gjeometrikisht, por edhe për sa i përket dinamikës, nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në zonën greke.“- thotë Efthymios Lekkas, president i Organizmit të Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmetet.
Duke folur për televizion shtetëror të Greqisë zoti Lekkas, ka shpjeguar nga qendra e fatkeqësisë se shtrirja e katastrofës është afërsisht e barabartë me Greqinë kontinentale, gati 500 km e gjatë dhe 20 deri në 40 km e gjerë, aty ku ndodhet pjesa më e madhe e dëmeve. Por kjo , ka thënë ai, nuk do të shkaktojë aspak pasoja domino në territorin e Greqisë, ndërsa ka kërkuar prej kolegëve të jenë të matur në parashikimet apo analizat e tyre.
“Flitet shumë për ndërtimet. Se çfarë dëmesh do të kishim në një tërmet 8.5 ballë, por nuk ka sesi të ndodhë një tërmet 8.5 ballë në Greqi. Ka ndodhur një herë në 5000 vitet e fundit dhe ka ndodhur në hapësirën detare, jo në hapësirën tokësore. Epo, le t’i kufizojmë këto parashikime ju lutem. Këto janë gjëra që ndodhin një herë në 10,000.“- shton ai.
Edhe profesori i Sizmologjisë në Univeritetin Aristotelis të Selanikut i njohur për publikun shqiptar, Kostas Papazahos, i pyetur për pasojat nëse një tërmet si ai i Turqisë do të ndodhte në Greqi ,është përgjigjur se tërmete të ngjashme kanë ndodhur si ai prej 7.5 Rihter në Amorgos në 1956 dhe 7.2 Rihter në Kefaloni në 1953, apo sipas statistikave, edhe prej 8.2 ballësh në vitin 365 pas Krishtit në Kretën perëndimore. Por ai ka sqaruar se tërmete të tilla në territorin grek “përgjithësisht kanë efekte të kufizuara, kryesisht sepse ndodhin në zonat detare”.
Top Channel