Në Top Talk me Juli Xhokaxhi, ish Kryetar i PS Tiranë, Ervin Bushati dhe gazetari Bledian Koka, diskutuan rreth protestës së 11 Shkurtit të organizuar nga opozita dhe a është McGonigal “guri i shahut” të Berishës?!
Gazetari Bledian Koka ka mbrojtur idenë se protesta është shumë e arsyeshme dhe se populli duhet të ngrihet për t’i treguar ndërkombëtarëve se populli shqiptar distancohet nga një kryeministër që ka përdorur qëllimet politike ka përdorur ato jopolitike për të bërë pis tempullin e demokracisë.
Nga ana tjetër ish-Kryetari i PS Tiranë, Ervin Bushati është shprehur se Berisha po e përdor të gjithën këtë situatë për qëllimet e veta politike e jo për shqiptarët, në mënyrë që ti shpëtojë njollës së non-gratës.
Bledian Koka: Unë mendoj se protesta është gjithmonë politike sepse politika është ajo që e ka sjellë protestën, është politika e mbrapshtë e Ramës që e ka detyruar drejtësinë amerikane të hapë dosje e cila ka lidhje me raportin që Rama ka pasur me drejtësinë amerikane. Kryeministri i ka pasur dyert e hapura në Amerikë dhe tenton të futet nga penxherja që nuk do i falet. Në ditët në vijim fakte shumë të rënda të implikimit dhe përdorimit nga Rama të McGonigal, do të bëhen publike. Protesta mendoj është e rëndësishme për të kuptuar e për të dhënë mesazhin jo vetëm brenda vendit por edhe në Washington që populli shqiptar ai i arsyeshmi distancohet nga një kryeministër që për qëllimet politike përdor ato jopolitike për të bërë pis tempullin e demokracisë amerikane. Kjo është një arsye shumë e fortë për të protestuar.
Ervin Bushati: Protestat janë një standart demokratik për qytetarët e jo për partitë politike, më duket pak ironike e që Berisha i qan hallin shteteve të Bashkuara ët Amerikës kur është vetë non-grata, tani është një çështje e hapur e drejtësisë amerikane çfarëdo që të jetë. Rama nuk është njeri perfekt mund të ketë gabime por nuk është provuar që ka faj, kjo është një hapje fushate ku Berisha është mësuar ti quajë protesta edhe mitingjet. Në zgjedhjet lokale do e shohim se çfarë çmimesh ngushëlluese do të ketë për PD-në në mënyrën si po shkon, unë e kam thënë edhe më parë se ai këshu do të shkonte në zgjedhje por nuk ka zgjedhje të parakohshme për sa kohë mazhoranca përgjigjet për programin dhe Berisha do të duhet të presë kohën. Berisha e bën këtë për dy arsye: Për të unifikuar radhët e të vetëve dhe e dyta Berisha me gjithë respektin në këtë betejë është për hallin e vet jo për popullin demokrat sepse do të heqë hallin e njollës non-grata.
Top Channel