Mbi 11 mijë viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri/ Ekipet e kërkim-shpëtimit në garë me kohën

08/02/2023 12:15

Mbi 11 mijë persona është bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.

Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja. Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit. Por, përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme. Në qytetin sirian të Xhindajrisit, një foshnje e sapolindur u nxor nga rrënojat.

Disa prej dëmeve më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit. Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet që të vizitojë zonën e prekur nga tërmetet sot. Në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat prej 12 vitesh. Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës.

12:46 Foshnja “Mrekulli”/ Si është gjendja e vajzës që lindi në mes të rrënojave, e vetmja e mbijetuar në familje

Një vajzë e porsalindur është shpëtuar nga ekipet e shpëtimit nga rrënojat e një ndërtese në veriperëndim të Sirisë, e cila u shkatërrua nga një tërmet të hënën.

12:06 I bllokuar nën rrënoja për 45 orë, djalit të vogël i jepet ujë me tapë shisheje për ta mbajtur gjallë

Një video prekëse ka ardhur nga Siria, ku një djalë i vogël i quajtur Muhammed i bllokuar nën rrënoja i jepet ujë me tapë shisheje, para se të nxirrej jashtë.

11:55 Presidenti Erdogan mbërrin në rajonin e goditur nga tërmeti në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur në zonën më të goditur nga tërmeti, raportojnë agjencitë e lajmeve vendase. Ai do të vizitojë Kahramanmaras dhe Hataj si dhe Pazarcik, qendra e tërmetit aty ku pasojat e janë katastrofike.

11:42 Tërmeti në Turqi/ Udhëtime të gjata nga e gjitha bota për të gjetur familjen nën rrënoja

Teksa priste një fluturim të vonuar nga aeroporti i Stambollit këtë javë, Samet Yilmax tregoi një foto të rrënojave. Ai tha se vëllai i tij, Ismaili, ishte nën to.

11:12 Shpresë nga rrënojat e tërmetit! Pas 52 orësh, shpëtohet 8-vjeçari

Histori dhe pamje të pabesueshme po vazhdojnë të dalin nga fatkeqësia që ka kapluar Turqinë dhe Sirinë nga tërmeti 7.8 ballë. Në Hatay, Turqi, një djalë tetë vjeçar është shpëtuar nga rrënojat e një ndërtese të shembur pas rreth 52 orësh.

10:15 Të mbijetuarit e tërmetit në Turqi përballen me uri dhe dimër të ftohtë

Të mbijetuarit e tërmetit të fundit të fuqishëm në qytetin turk, Sanliurfa, që shkaktoi mijëra vdekje, rrënime, janë duke u përballur me një rrezik të madh nga uria. Dielli lind njësoj si çdo mëngjes, por rrugët e shkatërruara të Sanliurfës duken boshe në këtë mot të ftohtë.

FOTO GALERI
1/24

Top Channel