Teksa është vendosur në pranga si e dyshuar për 3 vepra penale si “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, ish-drejtoresha e Ministrisë së Financave Alda Klosi nuk e ka mbajtur dot presionin dhe ka përfunduar në spital për shkak të problemeve shëndetësore.

Top Channel mëson se vetëm pak orë pasi ka përfunduar në qeli ish shefja e kabinetit të Arben Ahmetaj ka shfaqur tension të lartë dhe është dërguar me urgjencë në QSUT për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Me gjasa ajo do të qëndrojë edhe në vijim nën monitorimin e bluzave të bardha dhe do ti bëhet në spital verifikimi I masës së sigurisë që pritet të kryhet gjatë të hënës nga togat e zeza. Arrestimi i Alda Klosit erdhi pas dëshmisë së Sanitares Rozeta Dobi e cila më herët ishte arrestuar me akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove nga shtëpia e zyrtares. Një kontroll i dytë i banesës së Rozeta Dobit dhe të birit Havier Dobi zbuloi dhe 405 mijë euro të tjera të cilat mbetën pa zot.

Thellimi i hetimeve nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit si edhe pyetja për disa orë e sanitares Rozeta dobi zbuloi se gjithçka ka qenë inskenim dhe paratë e gjetura në banesë nuk ishin vjedhur por ish zyrtarja e lartë ia kishte dhënë për t’i fshehur.

Në dëshminë e saj Rozeta Dobi ka thënë se ka parë shumë para të cilat vinin me kuti dhe ishin të fshehura në disa shtëpi të ish-zyrtares Klosi. Dobi implikon dhe persona të tjerë që kishin kontakt me zyrtaren përfshi dhe ish ministrin Arben Ahmetajn me të cilin sipas saj Alda Klosi kishte raport personal.

Top Channel