Turneu i parë për vitin 2023, xhudistja shqiptare fiton medalje të artë në Paris

04/02/2023 21:12

Xhudistja Distria Krasniqi e nis vitin 2023 në mënyrën më të mirë të mundshme teksa fitoi medaljen e artë në Grand Slam-in e Parisit. Në finalen e kategorisë deri në 52 kg, 27-vjeçarja mposhti hungarezen Reka Pupp teksa nuk hasi vështirësi.

Krasniqi e vendosi lojën në vijë që në momentet e para dhe ia doli ta menaxhonte më së miri duke marrë kështu medaljen e artë. Kujtojmë se për xhudisten nga Kosova, triumfi në Paris ndaj hungarezes Pupp ishte i dyti radhazi në një finale pasi e ka mposhtur edhe në vitin 2022 në Tbilisi.

Në shtatë përballje me Pupp, Krasniqi ka një bilanc pozitiv me gjashtë fitore dhe një humbje duke konfirmuar supremacinë ndaj kolegës së saj. Ky i Parisit, është Grans Slami i katërt që Distria Krasniqi fiton në karrierën e saj duke u shndërruar në një nga xhudistet më të vlerësuar në historinë e Kosovës.

Top Channel