Një çift i martuar nga Skocia po planifikon të nisë një udhëtim prej më shumë se 27 mijë kilometrash me makinën e tyre elektrike duke filluar nga muaji tjetër.

Bëhet fjalë për çiftin aventurier Chris dhe Julie Ramsey nga qyteti Aberdeen.

Ata po e marrin Nissan Ariya-n e tyre elektrike të modifikuar bazuar në SUV-in e ri plotësisht elektrik të markës japoneze që kushton 51 mijë euro në një ekspeditë të parë botërore që do të fillojë nga Poli Magnetik i Veriut dhe që do të përfundojë mijëra kilometra pothuajse një vit më vonë në Polin e Jugut.

Udhëtimi 10-mujor do të jetë një testim i makinës dhe ndoshta edhe i martesës së tyre. Bazuar në distancën e baterisë së automjetit, burri dhe gruaja duhet të ndalen për ta karikuar makinën të paktën 54 herë gjatë udhëtimit të tyre. Për 10 muaj, më shumë se 27 mijë kilometra dhe 14 vende, çifti po nis udhëtimin me një makinë elektrike me një rreze të kufizuar baterish.

 

Automjeti i përgatitur për aventura që çifti i martuar do të përdorë është vendosur t’i transportojë ata nga Arktiku përmes Amerikës Veriore, Qendrore dhe Jugore, përpara se të kalojnë në Antarktik. Kjo është hera e parë që një automjet i çdo lloji ka tentuar sfidën ‘Pole-to-Pole’, pasi asnjë makinë me motor me djegie nuk ka përfunduar ndonjëherë të njëjtin udhëtim. Terreni nuk do të jetë i lehtë, prandaj ky EV është përshtatur posaçërisht. Makina e ekspeditës përmban një paketë baterie 87 kWh që ofron një distancë deri në 513 kilometra me një karikim të plotë.

Top Channel