Presidenti i sapozgjedhur i Çekisë: Ukraina duhet t’i bashkohet NATO-s pas përfundimit të luftës

01/02/2023 11:32

Presidenti i sapozgjedhur çek, Petr Pavel, i ka thënë BBC-së se Ukraina duhet të lejohet që t’i bashkohet NATO-s “sapo të përfundojë lufta”.

Pavel, një gjeneral në pension, tha se Ukraina do të ishte “moralisht dhe praktikisht e gatshme” për t’u bashkuar me aleancën perëndimore pas përfundimit të konfliktit.

“Ushtria ukrainase do të jetë ndoshta ushtria më me përvojë në Evropë. Ukraina meriton të jetë pjesë e një komuniteti të vendeve demokratike”, tha ai.

Në intervistën e tij të parë të transmetuar me media ndërkombëtare që nga zgjedhja e tij, Pavel i dha mbështetje të fortë ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin.

Duke folur nga Praga, ai tha se dërgimi i avionëve luftarakë perëndimorë si F-16 nuk është temë “tabu” për të, por tha se nuk ishte i sigurt se ata mund të dorëzoheshin në një afat kohor që mund të ishte i dobishëm për Kievin.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të F-16 në Ukrainë, megjithëse presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se asgjë nuk përjashtohet.

“Jam krenar që vendi im është një nga të parët që i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake”, tha ai për BBC.

Republika Çeke ishte vendi i parë perëndimor që dërgoi tanke dhe automjete luftarake të këmbësorisë – T72 dhe BMP1 të dizajnuara nga sovjetikët – në Kiev, pjesë e një serie dërgesash të armëve të rënda që thuhet se filluan që në mars të vitit 2022.

Pothuajse një vit më vonë, pas shumë kërkesash nga Ukraina, vendet si Britanina e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanina, janë pajtuar për të dërguar tanke moderne, të prodhimit perëndimor si Leopard 2, Challenger dhe M1 Abrams.

Top Channel