Ky dimër solli më pak borë në kontinentin e vjetër, çka po shihet qartë sidomos ne shumë resorte europiane të skive nga Gjermania, e Francë e në  Republikën Çeke, shpatet e të cilave po arrijnë të mbulohen vetëm me borë artificiale.

Ndikimi i efektit serë mbi klimën sa vjen e bëhet më i prekshëm, e temperaturat janë mjaftueshëm të ngrohta sa për të shkrirë borën. Në shumë shtete, në vend të saj, po bie shi. Pasojat e kësaj situate shkojnë përtej sporteve dimërore, thotë ekspertët, duke dëmtuar si biodiversitetin, ashtu edhe furnizimin me ujë. “Bora luan një rol të rëndësishëm në ciklin e ujit,” shprehet Daniel Farinotti, një glaciolog nga universiteti ETH Zyrih dhe Instituti Federal Zviceran për Kërkimin e Pyjeve, Borës dhe Peizazhit.

“Bora ruan ujin për një kohë të caktuar. Uji i gjendur në borë nuk rrjedh menjëherë, por në verë dhe pranverë,” sqaron ai. Vetëm kur bora shkrihet, uji lëshohet gradualisht nëpër liqenet, lumenjtë dhe ujërat nëntokësore përreth.

Bora vepron si një lloj pajisje ruajtëse dhe kur ka më pak ose aspak borë, e gjithë ndikon në sasinë e ujit gjatë vitit. Lumenjtë e ushqyer pjesërisht nga shkrirja e borës gjithashtu përfundojnë me nivele më të ulëta uji. Kjo përfshin edhe lumin e Rinit, një nga rrugët ujore më të rëndësishme të Europës, për të cilin rezervat e ujit të shkrirë janë thelbësore për t’i kaluar muajt më të thatë të verës dhe të vjeshtës.

“Sasia e pakët e borës mund të përkeqësojë nivelet e ujit në Rin nga Bazeli në Detin e Veriut”, tregon një studim i Komisionit Ndërkombëtar për Hidrologjinë e Basenit të Rinit, sipas të cilit, reshjet e shiut nuk do të jenë në gjendje të kompensojnë mungesën e ujit të shkrirë.

Top Channel