Për herë të parë, Ministria e Arsimit ka marrë vendimin që maturantët me aftësi ndryshe në shkolla do të testohen me provime të veçanta.

Këtë vit shkollor, nga rreth 4200 nxënës me aftësi ndryshe do të jenë dhjetëra maturantë me aftësi ndryshe që do ti nënshtrohen testeve specifike me nivel më të lehtë vështirësie.

“Kemi pasur shqetësime të përhershme që pse testoheshin njësoj. Dhe këtë vit kemi kërkuar hartimin e një metodologjie dhe provimeve të veçanta për maturantët me aftësi ndryshe”, tha Evis Kushi.

Por një problematikë e vazhdueshme e vënë re gjatë maturave shtetërore është diferenca e notës vjetore me notën e provimeve të maturës. Pra nxënësit kanë një rënie ose rritje të ndjeshme gjatë provimeve krahasuar me vitet e gjimnazit”.

“Për fat të keq kemi ende diferencë të notës vjetore me notën e maturës, sikurse është rasti i Kavajës apo Hasit ku përqindja e nxënësve që kanë marr 3 nota më shumë në provime se gjatë vitit shkollor tregon se kemi probleme me fiktivitetin e shkollës ose me keqadministrimin e maturës”.

Raporti i maturës 2022 nxjerr në pah një rritje të kalueshmërisë në  nivelin 98%,  krahasuar me vitin 2015 kur  kishte më shumë nxënës që ngelnin e niveli i kalueshmërisë shënonte 86%.

“Notat më të mira merren nga nxënësit e zonave urbane, ndërsa 4-5-6 në zonat rurale”, tha drejtoresha e QSHA-së, Aurora Balliu.

Për të shmangur fiktivitetin e  notave dhe për të bërë të mundur që çdo maturant të marr vlerësimin që meriton, rregullorja e maturës shtetërore ka shtuar masat e sigurisë së ambienteve ku do të zhvillohen provimet, jo më në klasa të vogla por ambiente të mëdha si palestrat me prezencë të kamerave të sigurisë si dhe maturantët kanë të drejtë të kërkojnë rikorrigjim të testeve, ndryshe nga vitet e shkuara.

Top Channel